Ministri Hoxhaj: Seminari mbetet monument i rëndësishëm i identitetit tonë

16 Gusht 2010

"Seminari është dhe do të mbetet monument i rëndësishëm i identitetit, shtetit dhe i frymës tonë për shekullin 21". Kështu është shprehur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj në hapjen solemne të Seminarit të 29-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të mbahet për 12 ditë radhazi në Prishtinë.

Ministri Hoxhaj, e vlerësoi Seminarin si një ngjarje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ndërsa, ai theksoi tri dimensionet kyçe të këtij seminari:

"Seminari ka qenë ngjarje shkencore dhe kulturore me dimension kombëtar, sepse duke u marrë në mënyrë të mirëfilltë me problemet e gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare, ka fuqizuar, ka kultivuar identitetin shqiptarë. Seminari është pjesë kyçe e identitetit të Kosovës dhe Kosova është pjesë thelbësore e vet identitetit të seminarit".

Si dimension të dytë, ministri theksoi faktin se Seminari nuk ka qenë vetëm ngjarje shkencore dhe kulturore për Kosovën, por ka qenë edhe ngjarje politike, "sepse sot Republika e Kosovës është shtet". "Në kohën ku ka lindë Seminari, Republika e Kosovës nuk ishte as shtet, as realitet, ishte vetëm një ide, dhe kjo ide e ky qëllim ka lindur brenda Seminarit, brenda UP-së, është bartur, është përhapur dhe fuqizuar nga studentët, intelektualët e Republikës së Kosovës. Por, ka edhe shumë albanologë të huaj, nga vende të ndryshme, të cilët kanë qenë frymëzues, zëdhënës dhe mbështetës të idealit për shtetin, për Republikën e Kosovës".

Ministri Hoxhaj, theksoi po ashtu se kjo ngjarje shkencore ka edhe dimensionin e saj shkencor. "Çdoherë ka nxjerrë shkencëtarët më eminent dhe ka trajtuar temat më komplekse. Çdoherë ka ofruar rezultatet më të reja në fushën e albanologjisë, ka ofruar frymën kritike, por koha që ne jetojmë kërkon që qasja kritike të bartet edhe në shkollat tona, institucionet tona, në të cilat duhet të flitet edhe për sukseset dhe dështimet tona, edhe ngritjet e rëniet tona", u shpreh ai.

Punimet e Seminarit i përshëndetën edhe rektori i UP-së, Mujë Rugova, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, dekani i Fakultetit të Filologjisë, Osman Gashi, të cilët po ashtu theksuan rëndësinë e madhe që ka Seminari për gjuhën, kulturën dhe identitetin e shtetit tonë.