MASHT

Ministri Hoxhaj priti një grup profesionistësh nga SHBA-të

28 Shtator, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, sot ka pritur një grup profesionistësh të rinj të fushave të ndryshme të sektorit publik dhe jopublik në SHBA, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, ky grup është interesuar për mundësitë që ka Kosova për zhvillimin e biznesit. Prandaj, ministri Hoxhaj, ka theksuar se Kosova nuk është e pasur me minerale dhe pasuri nëntokësore, por “pasuria më e çmuar është populli i saj”.


Duke qenë se Kosova ka një popullsi shumë të re, ministri Hoxhaj, tha se për MASHT-in është shumë e rëndësishme lidhja e arsimit me ekonominë. “Nëse deri më tani shkolla e mesme ka shërbyer vetëm si mundësi për të vazhduar studimet universitare, sot, shkolla e mesme ka marrë një rol të ri – përgatitjen e të rinjve për tregun e punës”.


Ndër të tjera, ministri Hoxhaj, ka theksuar përmirësimin e infrastrukturës ligjore, duke e veçuar këtu rishikimin e Ligjit të Arsimin Parauniversitar, i cili pritet të procedohet në Kuvend si dhe Ligjin për Arsimin e lartë, i cili po ashtu është dorëzuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.


Si proces me rëndësi të veçantë, ministri Hoxhaj, ka përmendur Kornizën e Kurrikulumit të Kosovës, të cilin e ka cilësuar si vendimtarë në sistemin arsimor të Kosovës. “Ky dokument do të sjellë ndryshime thelbësore në strukturë dhe përmbajtje”.


Duke iu përgjigjur interesimit të mysafirëve, ministri ka theksuar se që nga viti i ardhshëm shkollor, gjuha angleze do të futet si lëndë që nga klasa e parë në shkollat e Kosovës. “Për ne gjuha angleze nuk është vetëm një gjuhë e huaj, por është shkathtësi. Prandaj, fokus të veçantë do të ketë mësimi i gjuhës shqipe dhe gjuhëve të huaja dhe matematika”, tha ai.


Sa i përket arsimit të lartë, ministri Hoxhaj, ndër të tjera theksoi faktin se Kosova është i vetmi vend në rajon, që e ka të rregulluar tregun e arsimit të lartë.


Ministri Hoxhaj, po ashtu theksoi faktin se është arritur të zvogëlohet dukshëm numri i nxënësve që braktisin shkollën dhe si një element që parandalon braktisjen, ministri përmendi faktin se tashmë është viti i dytë që Qeveria e Kosovës i shpërndanë tekstet shkollore falas.


Ndërsa, ministri Hoxhaj, i është përgjigjur interesimit të grupit të profesionistëve edhe për shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me sistemin arsimor të Kosovës.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.