MASHT

MINISTRI BYTYQI VIZITOI SHKOLLËN “ARSIMI I SHQIPËRISË”

29 Tetor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, vizitoi institucionin privat të arsimit fillor “Arsimi i Shqipërisë”, shkollë e cila funksionon me kurrikula dhe tekste shkollore të Shqipërisë.

Ministri Bytyqi, ka qëndruar në disa klasa ku ka bashkëbiseduar me nxënësit dhe i ka porositur të jenë të përkushtuar në mësime dhe të kërkojnë më shumë nga mësimdhënësit.

“Rinia jonë është pasuria më e madhe që kemi dhe kjo rini po na bën dhe duhet të na bëjë edhe më krenarë si shtet”, tha ministri Bytyqi dhe përgëzoi mësimdhënësit dhe nxënësit për punën dhe të arriturat në këtë shkollë, e po ashtu, edhe për faktin se nxënësit e kësaj shkolle kanë përfaqësuar Kosovën për herë të parë në Modelin e Parlamentit Evropian.

Ministri Bytyqi tha se janë të rinjtë ata që po i tregojnë Evropës se nuk dallojnë asgjë nga moshatarët e tyre në shtetet e zhvilluara dhe theksoi se institucioneve iu mbetet që të krijojnë kushte të mira për arsimim dhe më shumë mundësi për ta.

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi theksoi se shkolla të tilla të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas, janë një mundësi e mirë për të parë mundësitë e unifikimit të kurrikulave. 

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.