MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI ZYRTARË NGA AMBASADA AMERIKANE NË PRISHTINË

4 Tetor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, respektivisht Richard Mei, zyrtar për Çështje Publike dhe zëvendësshef i Misionit, Scott R Righetti, Specialist i Shkëmbimit Akademik – Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Brian Martalus, drejtor i Zyrës së Zhvillimit Ekonomik dhe Remzije Potoku, asistente e Çështjeve Kulturore dhe Arsimore .

Në këtë takim, i cili është zhvilluar pas vizitës zyrtare që ka pasur ministri Bytyqi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është biseduar për bashkëpunim në fushën e arsimit, me theks të veçantë për bashkëpunimin rreth programit “Fulbright”.

Ministri Bytyqi ka falënderuar ShBA-të dhe popullin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën, sidomos në fushën e arsimit, ku është dhënë një kontribut i jashtëzakonshëm në forma të ndryshme dhe në të gjitha nivelet e arsimit.

Po ashtu, ministri Bytyqi ka falënderuar USAID-in dhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë për krijimin e mundësisë për vizitën zyrtare në ShBA dhe i ka njoftuar delegacionin në hollësi për të gjitha takimet që ka pasur me udhëheqës të lartë të institucioneve.

Ministri ka theksuar se përvoja amerikane dhe gatishmëria për ta përkrahur Kosovën për reformat në arsim që ka marrë në të gjitha takimet, janë shumë të rëndësishme për MAShT.

Ndërsa, sa i përket programit “Fulbright”, ministri Bytyqi ka theksuar se ka dhënë idenë që të zgjerohet ky program dhe MAShT të dyfishojë fondin.

Ndërsa, Richard Mei, zyrtar për Çështje Publike dhe zëvendësshef i Misionit, ka thënë se janë të inkurajuar për rezultatet e takimeve që ka pasur ministri Bytyqi në ShBA dhe vullnetin për të bashkëpunuar në refrmat e synuara në sistemin arsimor në Kosovë.

Po ashtu, Mei ka theksuar se sa i përket programit “Fulbright”, tashmë pas 9 vitesh të implemetimit të këtij programi në Kosovë, është koha të mendohet edhe për krijimin Komisionit të “Fulbright-it”, të cilin mund të bëjnë me një marrëveshje qeveritë e të dy vendeve, e që është një komision shumë i rëndësishëm në 50 shtetet në botë që funksionon.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.