Ministri Bytyqi priti presidentin e rrjeteve “QSI International School”

08 Nentor 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot presidentin e rrjeteve “QSI International School”, Jim Gilson dhe drejtorin e kësaj shkolle në Kosovë, Donald Hale, me të cilët bisedoi rreth mundësive të bashkëpunimit me këtë shkollë, e cila funksionon qe katër vite në vendin tonë në kuadër të Ambasadës Amerikane.

Ministri Bytyqi theksoi faktin se Kosova ka bashkëpunim me shumë institucione prestigjioze të arsimit në ShBA, ndërsa tha se është nderë për Kosovën që një shkollë e tillë funksionon te ne, pasi që është një vlerë e shtuar për sistemin tonë arsimor dhe një shembull i mirë i ofrimit të edukimit cilësor.

Ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe për të ofruar mbështetje në synimin e kësaj shkolle për zgjerim dhe theksoi se është me interes të veçantë përfshirja e nxënësve kosovarë në këtë shkollë.

Duke qenë se kjo shkollë iu shërben fëmijëve të diplomatëve, por ka filluar të zgjerohet edhe me nxënës kosovarë, ndër të tjera, në takim u bisedua edhe për mundësinë që kjo shkollë të ofrojë edhe kurse të gjuhës shqipe.

Ndërsa, presidenti i rrjeteve “QSI International School”, Jim Gilson falënderoi ministrin Bytyqi për gatishmërinë që ta përkrahë këtë shkollë, në mënyrë që të arrijë synimet e veta për rritjen e numrit të nxënësve dhe ofrimin e një edukimi cilësor për ta.