Ministri Bytyqi priti përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Austrisë dhe WUS Austria në Kosovë

15 Prill 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim shefin e Sesionit IV të arsimit të lartë në Ministrinë Federale Austriake të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit, z. Elmar Pichl, si dhe përfaqësues të WUS Austria, e cila sot shënon 20 vjetorin e fillimit të punës në Kosovë.

Ministri Bytyqi ka falënderuar z. Pichl, i cili ishte edhe udhëheqësi i parë i zyrës së kësaj organizate në Kosovë, për angazhimin e tij, si dhe shtetin austriak që i ka dalë në ndihmë gjithmonë arsimit në Kosovë dhe po vazhdon të japë mbështetje të madhe në të gjitha proceset e rëndësishme përmes projekteve të mëdha.

Gjatë këtij takimi, është biseduar për prioritetet që ka MAShT për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, ndërsa Ministri ka theksuar nevojën e mëtutjeshme për mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.

Z. Elmar Pichl ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë Federale Austriake të Arsimit, Shkencës dhe Kërkimit për të vazhduar dhe për ta thelluar bashkëpunimin me MAShT-in.