MASHT

Ministri Bytyqi priti një delegacion të FMN-së

4 Dhjetor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Stephanie Eble, shefe e misionit të FMN-së për Kosovën, me të cilët ka biseduar për prioritet e Qeverisë së Kosovës në fushën e arsimit.

Ministri Bytyqi  pasi ka folur për gjendjen e përgjithshme në arsim dhe hapat të cilët planifikohet që të ndërmerren në përmirësimin e cilësisë, ka vlerësuar ndihmën që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë në sektorin e arsimit në Kosovë.
“Kemi vendosur prioritetet tona në qeverisjen katër vjeçare, në mënyrë që të ndryshojmë gjendjen në arsim. Prioritetet tona janë ndarë në dy pjesë: e para ka të bëj me përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe e dyta me arsimin e lartë”, ka thënë ministri Bytyqi.


Ministri Bytyqi, po ashtu, ka folur edhe për aplikimin e mësimit tërëditor, profilizimin e mësuesve, orientimin e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta në bazë të rezultateve që arrijnë gjatë shkollimit, harmonizimin e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës dhe hapa të tjerë, të cilët planifikohet që të ndërmerren gjatë kësaj qeverisje.


Ndërsa, shefja e misionit të FMS-së për Kosovën, Stephanie Eble ka falënderuar ministrin Bytyqi për pritjen, ku u bisedua për arritjet e deritanishme në sektorin e arsimit dhe ndihmën që FMN mund të ofrojë në përmirësimin e politikave arsimore në të ardhmen, në mënyrë që të arrihen rezultate në përmirësimin e cilësisë.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.