Ministri Bytyqi prezantoi të arritura të shumta në arsim gjatë vitit 2018

27 Dhjetor 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur konferencën e fundvitit me gazetarë, ku ka folur për të arriturat dhe vendimet e MAShT gjatë vitit 2018 në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit në Kosovë.

Fillimisht, ministri Bytyqi ka folur për masat që janë marrë për të vënë rregull në qendrën NARIC, në mënyrë që lëndët të mos presin gjatë për nostrifikim dhe tha se gjatë këtij viti janë kryer rreth 2 mijë lëndë.

Si një të arritur tjetër, ministri Bytyqi përmendi faktin se buxheti për vitin 2019 është rritur për 11.2 milion euro në krahasim me këtë vit, ndërsa tha se është emëruar Këshilli Shtetëror i Cilësisë pa ndikime politike dhe është marrë vendimi për të pasur ligj për Agjencinë e Akreditimit.

Duke folur për përmirësimin e infrastrukturës ligjore, Ministri përmendi se është proceduar në Qeveri Ligji për Arsimin e Lartë, ndërsa theksoi se Ligji për Inspektoratin ka rritur rolin e inspektorëve të arsimit.

Ministri Bytyqi foli edhe për bursat e ndara nga MAShT për studentë, ku theksoi edhe faktin se kwtw vit, përveç studentëve meritorë, kanë përfituar bursë të gjithë studentët me nevoja të veçanta. Po ashtu, ai theksoi se është rritur nga 300 në 880 euro shuma e bursës, ndërsa bursa e doktoraturës për ata që e ndjekin këtë nivel studimi në universitete të njohura ndërkombëtare është rritur nga 2500 në 7500 euro.

Duke folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, Ministri, ndër të tjera përmendi fillimin e procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, vendimin për ndalimin e telefonave në shkolla, trajtimin me seriozitet të Testit PISA 2018, organizimin e Testit të Maturës në katër regjione, si dhe fillimin e procesit për tekste të reja shkollore.

Ministri Bytyqi tha se, MAShT është ministria e parë që ka filluar reformat brenda administratës me mbështetjen e BE-së, ndërsa foli edhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ku veçoi nënshkrimin e marrëveshjes për “Erasmus+”, anëtarësimin në COST dhe nënshkrimin e marrëveshjes me Ambasadën e Francës për bursa për studentë në nivelin master.

Ministri Bytyqi theksoi, po ashtu, se janë identifikuar katër shtylla kyçe për zhvillimin e arsimit parauniversitar, për të cilat do të punohet gjatë vitit të ardhshëm: metoda e përmirësimit të mësimdhënies, përmirësimi i menaxhimit të shkollës, mentorimi i përmirësuar, si dhe rritja e mekanizmave pjesëmarrës.