MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË PËRURIMIN E ÇERDHES NË DUHËL TË SUHAREKËS

6 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përuruan çerdhen “Flutura”, e cila do të funksionojë brenda hapësirës së shkollës së mesme të ulët “Sadri Duhla” në fshatin Duhël të Suharekës.

Me këtë rast, ministri Bytyqi uroi të gjithë banorët e kësaj ane dhe tha se është kënaqësi e veçantë përurimi i një objekti, i cili do të shërbejë për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme.

Ministri theksoi se ndërtimi i çerdheve të reja, krijimi i mundësive për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, si dhe zgjerimi i infrastrukturës shkollore kudo në Kosovë, është një dëshmi se çdo ditë e më shumë arsimi po bëhet prioritet në Kosovë.

Ministri Bytyqi falënderoi mësimdhënësit për punën e palodhshme për edukimin e fëmijëve tanë, ndërsa theksoi se profesioni i mësimdhënësit është më shumë se sa profesion, pra është një detyrë e shenjtë.

Duke folur për prioritetet që i ka vënë Ministria për ngritjen e cilësisë në arsim, ministri Bytyqi theksoi nevojën që të gjithë së bashku të punojmë për të siguruar edukim më të mirë për fëmijët tanë.

Në vazhdim ministri Bytyqi tha se si përgjegjës të arsimit dhe si mësimdhënës, kemi obligim që ta zbulojmë talentin e nxënësve. “Nëse nuk jemi në nivelin e përgjegjësisë, ne do të kemi problem që t’i zbulojmë talentet te fëmijët tanë, por edhe mund t’ua dëmtojmë talentin. Prandaj, është kërkesë e jona që të punojmë për ta ngritur standardin e cilësisë në arsim”, tha ai.

Ministri Bytyqi theksoi se të rinjtë janë pasuri e jona dhe ata kanë nevojë për një edukim të mirë që të sigurojmë jo vetëm të ardhmen e tyre, por kështu do ta sigurojmë edhe të ardhmen e vendit tonë.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.