MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË HAPJEN E QENDRËS “LOYOLA – TRANZIT” NË PRIZREN

19 Shtator, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës Sociale-Edukative “Loyola – Tranzit” të shkollës “Loyola” në Prizren, e cila do të shërbejë si një vend ku do të bashkëveprojnë nxënësit e kësaj shkolle me fëmijët e lagjes “Tranzit”.

Kjo Qendër që është përkrahur nga shumë donatorë nga Kosova, Austria dhe Gjermania, do të shërbejë si strehë ku ofrohen shërbime për fëmijët në kopsht, ndihmë në detyrat e shtëpisë, muzikë dhe aktivitete tjera që do të krijojnë miqësi mes fëmijëve në vend të paragjykimeve.

Me këtë rast, ministri Bytyqi tha se ngjarje të tilla kanë një rëndësi të veçantë, pasi që bashkë me partnerët investues në arsim po bëjmë përpjekje të krijojmë kushte për edukimin e të gjitha komuniteteve.

Duke folur për arsimimin dhe edukimin që ofron kjo shkollë, ministri Bytyqi tha se fjala “Loyola” në Kosovë kuptohet si simbol i së mirës, simbol i suksesit, sepse këtë e arriti një shkollë gjermane që e solli këtë në Kosovë.

Ministri falënderoi nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin menaxhes të shkollës që arritën të bëjnë jo vetëm një shkollë që ofron arsimim cilësor, por edhe humanizëm.

“I uroj suksese shkollës dhe të rinjve. Jam i sigurt se të rinjtë këtu do të marrin arsimimim, por edhe edukim dhe do të jenë të sigurtë për të ardhmen e tyre, por edhe të ardhmen e vendit të tyre”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se ky angazhim i përgjithshëm na sjellë tek ajo që po kërkojmë, pra angazhimin e përbashkët për edukimin e fëmijëve tanë.

Si Ministri, tha ministri Bytyqi, kemi formuar një grup profesional për të hartuar plane që këto Qendra të kenë qëndrueshmëri të vazhdueshme të arsimit.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.