MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË HAPJEN E FAZËS SË DYTË TË PROJEKTIT PËR MBËSHTETJEN E REFORMËS NË AAP

15 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të fazës së parë të projektit KSV/020 për mbështetjen e reformës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë, si dhe fillimin e fazës së dytë të këtij projekti që do ofrojë mbështetje për katër vitet e ardhshme.

Projekti i financuar nga Qeveria e Luksemburgut ka për qëllim të ofrojë mbështetje për avancimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional nëpërmjet zhvillimit dhe avancimit të sistemeve të informimit dhe mjeteve digjitale për ndërlidhjen me industrinë, këshillimin në karrierë, informatat e tregut të punës, vende të punës dhe sigurimin e cilësisë.  

Me këtë rast, ministri Bytyqi e vlerësoi këtë si një ngjarje e madhe, ndërsa theksoi se në politikat qeverisëse, arsimit dhe aftësimit profesional i është dhënë prioritet. Në këtë drejtim, ai përveç angazhimit të MAShT, theksoi përkrahjen e vazhdueshme nga partnerët, të cilët i falënderoi, e veçanërisht Qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen që i ka dhënë arsimit dhe aftësimit profesional.

“Synimi dhe qëllimi i MAShT është që ne vazhdimisht t’i zhvillojmë politikat e arsimit dhe aftësimit profesional, të kemi standarde të larta për profilet e profesioneve, si dhe po bëjmë përpjekje të mëdha që të kemi edhe kurrikulën bërthamë për të gjitha profilet të cilat sot i kemi, apo edhe ato që presim t’i aplikojmë në të ardhmen”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se edhe ngjarja e sotme është duke i kontribuar këtij prioriteti, duke qenë se po synojmë që shkollat profesionale të jenë orientim i karrierës së të rinjve tanë.

Sa i përket kontributit të Luksemburgut në arsimin dhe aftësimin profesional, ministri Bytyqi, ndër të tjera përmendi edhe ngritjen e dy Qendrave të Kompetencës në Ferizaj dhe Prizren.

Ndërsa, sa i përket projektit, ministri Bytyqi theksoi se projekti i parë dhe tash projekti i dytë është bërë në bashkëpunim të ngushtë me MAShT. “Pra, të gjitha politikat që planifikohen të zgjerohen në projektin e dytë janë në përputhje me politikat tona qeverisëse”, tha Ministri, ndërsa theksoi se Qeveria e Luksemburgut ka kontribuar vazhdimisht që të kemi një lidhshmëri mes shkollave dhe tregut të punës.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.