MASHT

MINISTRI BYTYQI MBAJTI TAKIM ME KOMISIONIN SHTETËROR TË MATURËS

20 Shtator, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ShyqiriBytyqi, ka mbajtur një takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Maturës(KShM), me të cilët bisedoi rreth administrimit të Provimit të Maturës 2018.

Me këtë rast, ministri Bytyqi ka përgëzuar anëtarët e KShM–së dhe të gjithë të angazhuarit në këtë proces për punën dhe përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e testit.

“Është evidente se kemi arritur që ta përmirësojmë dukshëm këtë proces krahasuar me vitet e kaluara, porse kjo nuk do të thotë se s`ka nevojë për ndryshime apo përmirësime. Qëllimi dhe përkushtimi im si ministër është që ta bëjmë një test të standardeve të larta dhe për këtë duhet të punojmë së bashku në të ardhmen”, tha ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi vuri në theks nevojën e përmirësimit të cilësisë së testit (pyetësorit), si instrument vlerësues, ndërsa tha se duhet të shikojmë se çfarë testi duhet të kemi për shkollat e mesme profesionale.

Ministri Bytyqi, gjithashtu përmendi e-Maturën, përkatësisht mundësitë e digjitalizimit të Provimit të Maturës si proces, për çka tha se tashmë ekziston një projekt i verifikuar, por që duhet të shikohen mundësitë e vënies në jetë tërësisht, apo pilotim në disa shkolla apo komuna.

Anëtarët e KSHM-së vlerësuan angazhimin dhe çasjen serioze të ministrit Bytyqi për ndryshimet që ka bërë në organizimin e testit, gjë që ka lehtësuar edhe vendimmarrjen në momente të caktuara.

Anëtarët e KShM-së, gjithashtu, ishin të njëzëshëm në vlerësimin se në këtë proces ende kemi administrim jo të nivelit në klasë që duhet përmirësuar, çasjen joprofesionale të shtëpive botuese të testit, etj .

Në këtë takim u shtrua nevoja e mbajtjes së një punëtorie ku do të përcaktohej qartë për çdo gjë që ka të bëjë rreth Maturës 2019.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.