MASHT

MINISTRI BYTYQI DISKUTOI ME KOMISIONIN PARLAMENTAR PËR ARSIM NË LIDHJE ME PROJEKTBUXHETIN E MASHT PËR VITIN 2019

24 Dhjetor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Arsim për gjendjen në arsim dhe, po ashtu, është diskutuar edhe lidhur me Projektbuxhetin e MAShT për vitin 2019, prioritetet dhe objektivat që synohen të realizohen.

Ministri Bytyqi, fillimisht ka falënderuar anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim për mbështetjen e tyre në realizimin e objektivave të MAShT-it, si dhe mbështetjen e fushatës “Për Arsim më të Mirë në Kosovë ”, e cila rezultoi me rritjen e buxhetit për 12 për qind nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Projektbuxhetit të MAShT për vitin 2019, i cili në total kapë shumën 69.229,552 milion euro, apo 19 për qind më shumë se vitin e kaluar, 25.475,485 milion euro janë planifikuar për investime kapitale.

Ministri Bytyqi theksoi se, edhe pse kemi një rritje të dukshme të buxhetit për vitin që vjen, prapë se prapë kjo nuk do të jetë e mjaftueshme që të realizojmë PSAK-un  2017-2021 siç është planifikuar, ndërsa theksoi se, për realizimin e disa projekteve të rëndësishme arsimore llogarisim edhe në mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë të arsimit.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme në arsim, ministri Bytyqi, u shpreh se arsimi në Kosovë ende nuk është në nivelin e duhur dhe se kjo nuk mund të përmirësohet brenda një viti, por tha se jemi në rrugën e duhur që gradualisht ta përmirësojmë gjendjen në këtë sektor.

Në këtë kontekst, ministri Bytyqi theksoi se MAShT, do të angazhohet për trajnime profesionale të mësimdhënësve, zgjedhjen e drejtorëve, për të cilët tha se duhet të jenë liderë të vërtetë të shkollës, ndryshimin e rolit të inspektorëve të arsimit, si dhe përfshirje më të madhe të akterëve tjerë që mund ta ndihmojnë evitimin, apo minimizimin e dukurive negative, siç është përdorimi i drogës nga fëmijët dhe çështje të tjera.

Me buxhetin e vitit 2019, MAShT, ndër të tjera, ka planifikuar të ndërtojë tri çerdhe publike, 11 shkolla të reja, 7 salla të edukatës fizike, disa anekse shkollore, si dhe do të përfundojë projektet e shkollave që janë në ndërtim.

Në këtë takim u fol edhe për cilësinë e arsimit në universitetet publike, si dhe për iniciativën e Komisionit Parlamentar për amandamentimin e ligjit lidhur me mbështetjen financiare të  Qendrave Arsimore në Kosovë, në të cilat iu ofrohet mësim shtesë fëmijëve të komuniteteve pakicë, kryesisht komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian .

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.