MASHT

Ministri Buja u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj

3 Qershor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Idriz Vehapi dhe anëtarë të kabinetit të tij (Nuri Bexheti, Arbër Morina, Selvije Halimi dhe Ragip Gjoshi) , kanë qëndruar sot për një vizitë në Shqipëri, ku janë takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë, Myqerem Tafaj.

Kryeministri Berisha dhe ministi Buja theksuan nevojen e bashkëpunimi intensiv në fushën e arsimit dhe të kulturës mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka qenë tema për të cilën është biseduar në takimin e ministrit, Ramë Buja me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Ministri Buja, e ka falënderuar kryeministrin Berisha dhe Qeverinë shqiptare për ndërtimin e autostradës, për të cilën ka thënë se është një ndihmesë e madhe edhe për arsimin, për arsyen e udhëtimit shumë më të shkurtër, ndërsa ka thënë se shumë shpejt edhe Kosova do të ketë të ndërtuar autostradën. Ministri Buja, ka falënderuar po ashtu kryeministrin Berisha, për angazhimin e tij në rritjen e numrit të doktorantëve nga Kosova që vazhdojnë tashmë studimet e doktoratës në Shqipëri, ndërsa ka theksuar faktin se pas një dekade që kanë pushuar së organizuari këto studime, Senati i Universitetit të Prishtinës tashmë ka marrë vendim që të fillojë organizimi i këtyre studimeve në të gjitha njësitë akademike.

Kryeministri Berisha, ndërkaq, ka theksuar se nuk ka asgjë më themelore se bashkëpunimi në fushën e arsimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Duhet të bëjmë përpjekje ta zhvillojmë arsimin sa më shumë me standarde të njëjta”, tha kryeministri Berisha, i cili u shpreh se pret me shumë interes zbatimin e marrëveshjes në fushën e arsimit në mes të dy vendeve, e cila është nënshkruar vitin kaluar mes ministrave të të dy vendeve.

Ministri Buja, premtoi angazhim maksimal në këtë drejtim dhe falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, sidomos në fushën e arsimit.

Ministrat Buja e Tafaj biseduan për integrimin e programeve dhe teksteve, diploma të përbashkëta dhe fond të përbashkët për shkencën

Me homologun e tij nga Shqipëria, Myqerem Tafaj, ministri Buja ka zhvilluar një takim paraditen e sotme, ku të dy ministrat kanë biseduar për gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit dhe shkencës të dyja vendeve. Temë ku ata janë ndalur më shumë ka qenë integrimi i programeve dhe teksteve mësimore në arsimin parauniversitar, (duke filluar nga Abetarja), binjakëzimin e shkollave, diplomat e përbashkëta, krijimi i një fondi të përbashkët për shkencën dhe shumë tema të tjera me interes për arsimin në të dyja vendet.

Ministri Myqerem Tafaj, pasi që e njoftoi ministrin Buja me gjendjen në arsimin e Shqipërisë, të arriturat, sfidat dhe planet për të kaluar ato dhe për të avancuar arsimin shqiptar, theksoi se ministria që udhëheqë ai, po inkurajon nxënësit që të vizitojnë sa më shumë Kosovën. “Tashmë kemi vizita të shumta të nxënësve në Prizren dhe ne jemi të interesuar që të zhvillojmë edhe olimpiada dhe konkurse të përbashkëta, në mënyrë që nxënësit, të rinjtë tanë të afrohen sa më shumë”, tha ministri Tafaj.

Ndërsa, ministri Buja, theksoi ndër të tjera se deri më tani është punuar shumë në infrastrukturën shkollore dhe këtë problem gati e kemi tejkaluar. “Unë e kam deklaruar se gjatë mandatit tim qeverisës do të fokusohem në ngritjen e cilësisë”, tha ai, derisa theksoi se gjithëpërfshirja në të gjitha nivelet e arsimit, edhe atij të lartë, është në nivel më të kënaqshëm, sepse tashmë është hapur edhe Universiteti I Prizrenit, si universitet i dytë publik në vend.
Gjatë një konference të përbashkët për media, ministrat Buja dhe Tafaj, theksuan nevojën e konkretizimit të lëshimit të diplomave të përbashkëta (me dy logo) për studentët nga të dyja vendet. Ndërsa, u theksua edhe fakti se Shqipëria ndan kuota mbi 2 për qind për studimet bachelor për studentët shqiptar nga Kosova dhe vendet ku jetojnë shqiptarët, ndërsa për studime të doktoratës rreth 10 për qind. Por, ministri Tafaj tha se në shkencat albanologjike, nuk ka fare kuota dhe të interesuarit nga Kosova mund të shfrytëzojnë këtë mundësi.

Ministri Buja theksoi edhe nevojën e bashkëpunimit me Shqipërinë në drejtim të shkëmbimit të kuadrit dhe të teksteve mësimore, por edhe universitare dhe shkencore. ” Dihet se neve na ndan një kufi fizik, por ne mund të bëjmë shumëçka të përbashkët pa e penguar askënd, pra nëse një tekst i mirë botohet në Shqipëri, apo në Tetovë, nuk ka nevojë të botohet një tjetër në Prishtinë dhe anasjelltas”, tha ministri Buja.

Ministrat Buja dhe Tafaj theksuan nevojën e intensifikimit të punëve për të realizuar marrëveshjen e nënshkruar një vit më parë nga ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, edhe pse është duke u punuar.
Ministrat e Arsimit të dyja vendeve kanë shkëmbyer në mënyrë simbolike Abetaret, të cilat përdoren në Shqipëri (që janë katër Abetare) dhe Kosovë.

Gjatë këtij takimi u konkludua se ka një intensifikim të bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë, por të dy ministrat theksuan nevojën e bashkëpunimit edhe më të shtuar në të gjitha nivelet e arsimit dhe shkencës.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.