MASHT

Ministri Buja priti shefin e KE-së në Prishtinë dhe udhëheqësin e Zyrës Austriake për Zhvillim

6 Maj, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot në takime të ndara shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tim Cartwright dhe udhëheqësin e Zyrës Austriake për Zhvillim, Christian Geosits, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes së arsimit në Kosovë dhe mundësive të bashkëpunimit në funksion të ngritjes së cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.

Gjatë takimit me shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tim Cartwright, ministri Buja është shprehur falënderues për ndihmën që ka dhënë ky institucion për vendin në përgjithësi. Pasi që ka theksuar faktin se Kosova ka një popullsi shumë të re dhe vullneti i të rinjve për të studiuar është shumë i madh, ministri Buja theksoi se ndihma e mëtutjeshme e miqve ndërkombëtar është e nevojshme, për të arritur edhe synimin e këtij mandati qeverisës, që është cilësia. “Nuk e kemi të lehtë rrugën për ngritjen e cilësisë në arsim, por miqtë si ju na e bëjnë më të lehtë këtë rrugë”, tha ai, ndërsa si një nga problemet, me të cilët ballafaqohen të rinjtë kosovar që duan të studiojnë në vende të ndryshme të Evropës, është problemi i vizave.

Ndërsa, Cartwright tha se MASHT-i dhe të gjitha nivelet e arsimit janë shumë të rëndësishme për Këshillin e Evropës. “Në çdo vend të botës njihet si parim i përgjithshëm se rinia është e ardhmja, prandaj shteti është i obliguar që të ofrojë arsimin e duhur për ta”, tha ai, ndërsa theksoi se Këshilli i Evropës është në dispozicion për çdo gjë që mund të ndihmojë, sidomos sa i përket asistencës, duke qenë se ka përvojë rreth 20 vjeçare në këtë drejtim dhe atë me vendet në tranzicion.

Në takimin me udhëheqësin e Zyrës Austriake për Zhvillim, Christian Geosits, ministri Buja ka biseduar kryesisht rreth projekteve të përbashkëta në arsim. Ministri ka falënderuar shtetin austriak për ndihmën që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës dhe është shprehur i gatshëm të kryej obligimet që i ka MASHT-i në realizimin e projekteve.

Ndërsa, Geosits e ka informuar ministrin rreth projekteve të deritanishme të partneritetit Kosovar-Austriak në arsimin e lartë në Kosovë dhe theksoi se shumë shpejt do të fillojë një fazë e re e këtij projekti, ku janë bashkuar të gjitha aktivitetet e VUS-it (i cili është ende aktiv) dhe KAIP-it (i cili tashmë ka përfunduar).

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.