MASHT

Ministri Buja priti nxënës dhe mësimdhënës shqiptarë nga Suedia

18 Prill, 2011

Rreth 60 nxënës shqiptarë të shkollës shqipe e mësimit plotësues në diasporë, të cilët jetojnë në Suedi, e që po qëndrojnë në një vizitë në Kosovë së bashku me mësuesit e tyre, janë pritur sot nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në ambientet e MASHT-it.

Ministri Buja ka shprehur kënaqësinë për këtë vizitë të nxënësve dhe iu ka thënë atyre se për ne është shumë me rëndësi që ata ruajnë gjuhën dhe kulturën tonë. “E di që nuk kemi bërë mjaftueshëm për ju, por do përpiqemi që këtë kujdes ta shtojmë akoma më shumë dhe në vazhdimësi, dhe jo vetëm t’ju kemi në kujtesë, por të jemi në kontakt me ju edhe përmes librave dhe gjërave tjera të domosdoshme”, u shpreh ai, ndërsa, premtoi se MASHT-i do të ndihmojë në botimin e një monografie për punën e shkollës shqipe në Suedi.

Duke folur për kujdesin e institucioneve të Kosovës për diasporën, ministri Buja theksoi faktin se tashmë funksionon Agjencioni për Mërgatën. “Insistimi ynë ka qenë që për diasporën tonë të ketë ministri, tani është agjencion, nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por meqë kemi numër të madh të njerëzve tanë në diasporë, do të insistojmë që ta kemi një ministri që interesohet për gjithë diasporën tonë kudo që është”, theksoi ministri Buja.

Ne, tha ministri, e kemi për obligim të interesohemi për ju dhe për aq mundësi sa kemi nuk do të kursehemi, por kërkojmë nga ju që të jeni të ndjeshëm dhe t’i kuptoni mundësitë tona.

Tomi Svenson, rektor i shkollës së Engelholmit në Suedi, i cili po viziton vendin tonë bashkë me nxënësit shqiptarë, pasi që theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare për nxënësit që nuk jetojnë në vendin amë, tha se ata që mësojnë mirë gjuhën amtare, i mësojnë më mirë edhe gjuhët tjera.

Ndërsa, mësuesi Xhevat Isufi, i cili edhe i prinë kësaj vizite, pasi që përmendi sfidat e komunitetit shqiptarë që jeton në Suedi, kërkoi edhe më shumë kujdes nga institucionet e Kosovës në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë nga ana e diasporës.

Ndërsa, nxënësit nga Suedia përveç që shprehën kënaqësinë që u pritën nga ministri Buja, dhanë edhe një program artistik me valle e recitime.

Ekskursioni i nxënësve shqiptarë nga Suedia ka karakter mësimor dhe është koordinuar nga MASHT-i, ndërsa nikoqirë formalë janë drejtoritë komunale dhe shkollat homologe. Gjatë javës sa ata do të qëndrojnë në Kosovë, do të zhvillojnë shumë takime me personalitete të ndryshme dhe do të bëjnë shumë vizita nëpër vende historike dhe kulturore në Kosovë si dhe te monumente të ndryshme.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.