MASHT

Ministri Buja priti një delegacion nga Luksemburgu

20 Prill, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, priti sot një takim përgjegjësin për Ballkanin nga Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut, Jean-Marc Lentz dhe shefin e Zyrës së Dukatës së Luksemburgut, Pierre Weber, me të cilët ka biseduar rreth ndërtimit të dy Qendrave të Kompetencës, të cilat do të financohen nga Qeveria e Luksemburgut.

Me këtë rast, ministri Ramë Buja, ndër të tjera ka theksuar rëndësinë që ka ndërtimi i Qendrave të Kompetencës për arsimin kosovar dhe për të rinjtë e vendit tonë. Ai falënderoi Qeverinë e Luksemburgut që është treguar e gatshme që të ndihmojë në këtë drejtim. Duke qenë se tashmë janë ndërtuar dy të tilla në Skenderaj dhe Malishevë nga Qeveria Norvegjeze, ku këtë vit ka filluar edhe procesi mësimor, ministri Buja premtoi se shumë shpejt do të ketë një vendim nga ana e MASHT-it rreth te dyja projekteve që financohen nga Luksemburgu, në mënyrë që puna të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të rinjtë e Kosovës të kenë edhe më shumë mundësi të arsimimit.

Përgjegjësi për Ballkanin nga Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut, Jean-Marc Lentz, theksoi se është duke i bërë një vizitë vendeve të Ballkanit për të parë se si po ecin projektet e shtetit të tij në vende të ndryshme, ndërsa theksoi faktin se Luksemburgu e ka projektin më të madh me Kosovën, respektivisht me MASHT-in.

Për dy qendrat e kompetencës, të parapara për t’u ndërtuar në Prizren dhe Ferizaj, Luksemburgu ka ndarë 8 milion euro, ndërsa Qeveria e Kosovës do të participojë me 1.2 milion euro.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.