MASHT

Ministri Buja priti kryetarin e Shoqatës së Personave me Hendikep dhe Aftësi të Kufizuara, Agim Vatovci

13 Qershor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, priti sot në një takim kryetarin e Shoqatës së Personave me Hendikep dhe Aftësi të Kufizuara, Agim Vatovci, me të cilin bisedoi rreth problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e shoqërisë në Kosovë. 

Kryetari Vatovci e njoftoi ministrin Buja me gjendjen dhe problemet që hasin përditë personat me hendikep dhe aftësi të kufizuara, por edhe për të arriturat që janë bërë në drejtim të përmirësimit të jetës së tyre. 

Vatovci theksoi se kjo shoqata që udhëheqë ai është multietnike dhe funksionon që nga viti 2002. Ai tha se është arritur që vetëm për 7 vite, të punësohen 35 persona, por ai theksoi se tashmë edhe shoqata po kalon një krizë financiare dhe ka vështirësi në realizimin e aktiviteteve të saj.

Vatovci kërkoi nga ministri Buja që të krijojë lehtësime në arsimimin e kësaj pjese të shoqërisë, në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur që të kyçen në tregun e punës. “Tashmë është krijuar mundësia nga Universiteti i Prishtinës që këta persona të ndjekin studimet në këtë universitet pa pagesë, prandaj kërkoj nga ju që të krijoni lehtësime, respektivisht të na e krijoni mundësinë që anëtarët e shoqatës sonë të ndjekin mësimin për të rritur që ofrohet në Kosovë pa pagesë”, tha ai.

Ndërsa, ministri Buja premtoi se do të angazhohet në drejtim të përmirësimit të jetës së tyre. “Është detyrë e jona që të ofrojmë arsim për të gjithë të interesuarit dhe ne do të shohim të gjitha mundësitë për të ndihmuar këtë pjesë të shoqërisë sonë, sikur edhe për të gjitha kategoritë tjera”, tha ministri Buja.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.