MASHT

Ministri Buja priti anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim

23 Maj, 2011

Në fokus të këtij takimi ishte çështja e Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, si punë e përbashkët e MASHT-it dhe Komisionit Parlamentar për Arsim, në mënyrë që dy ligjet të kalojnë sa më shpejt në Kuvend për miratim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pritur sot anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, të kryesuar nga kryetari Idriz Vehapi, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe në fushën e shkencës.

Në fokus të këtij takimi ka qenë sidomos puna e përbashkët e MASHT-it dhe Komisionit Parlamentar për Arsim, që janë dy ligjet (Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe Ligji për Arsimin e Lartë).

Ministri Buja theksoi nevojën e madhe që ka arsimi në Kosovë për miratimin ligjeve dhe kërkoi bashkëpunim sa më efektiv në Komisionin për Arsim, në mënyrë që puna rreth ligjeve të përfundojë në një afat sa më të shkurtër kohor dhe të dy ligjet të procedohen në Kuvendin e Kosovës për miratim.

“Nëse ndihmojmë arsimin, kemi ndihmuar Kosovën. Ne duhet të fillojmë me këmbëngulësi ngritjen e cilësisë në arsim, dhe këtu të bëjmë më të mirën e mundshme”, tha ministri Buja.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim, Idriz Vehapi tha se anëtarët e Komisionit janë shumë të interesuar, po ashtu, që sa më shpejt që të jetë e mundur të kenë në dorë Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe atë për Arsimin e Lartë, në mënyrë që puna të ecë më tutje.

Edhe anëtarët tjerë të Komisionit që vijnë nga parti të ndryshme, theksuan gatishmërinë e tyre që të punojnë intensivisht, në mënyrë që proceset të ecin përpara dhe theksuan se cilësia në arsim arrihet përmes hartimit të ligjeve të mira dhe implementimit të tyre.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për sfidat që paraqet Raporti i Progresit për MASHT-in, provimin e maturës dhe ndryshimet që janë bërë rreth këtij vlerësimi të jashtëm, procesit të licencimit të mësimdhënësve, instituteve kërkimore-shkencore, Programin Kombëtar të Shkencës dhe shumë çështje dhe shqetësime e sfida me të cilat ballafaqohet arsimi dhe shkenca në Kosovë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.