MASHT

Ministri Buja: MASHT është përgatitur për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor

31 Gusht, 2011

Ndërsa, duke folur për punën 6 mujore të MASHT-it, ndër shumë të arritura përmendi miratimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe atij për Arsimin e Lartë, si dhe të dy dokumenteve të rëndësishme: Kornizën e Kurrikulës për Arsimin Parauniversitar dhe Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2011/2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, sot, në një konferencë me gazetarë, ka bërë të ditura përgatitjet që i ka bërë MASHT-i për një fillim sa më të mirë të vitit të ri shkollor 2011/2012, ndërsa ka folur edhe për punën 6 mujore që është bërë në këtë dikaster, prej se ai ka marrë detyrën si ministër.

Duke folur për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Buja tha se për dallim nga vitet tjera, “ne si Ministri kemi ngritur një komision të nivelit të lartë, i cili në bashkëpunim me 7 sektorët e nivelit rajonal, gjatë muajit gusht ka vizituar çdo objekt shkollor në mënyrë që të ketë informacion të drejtpërdrejtë për gjendjen teknike të shkollave, përgatitjen kadrovike dhe regjistrimin e nxënësve”.

Ministri Buja theksoi se mësimi do të fillojë më 1 shtator në rreth 99 për qind, me përjashtim të një përqindje të vogël (rreth 20 shkolla), ku ende janë duke u bërë renovime, por edhe në këto shkolla mësimi do të fillojë së shpejti.

“Në shumicën e shkollave, respektivisht në 134 shkolla mësimi zhvillohet me një ndërrim, në 542 shkolla mësimi zhvillohet në dy ndërrime, ndërsa është edhe një numër i vogël i shkollave, pra në 36 shkolla mësimi zhvillohet në 3 ndërrime”, theksoi ai.
Ndërsa, sa i përket përmirësimit të infrastrukturës shkollore, ministri Buja theksoi se janë 34 shkollat që janë duke u ndërtuar, ndërsa në fillim të shtatorit do të jenë të gatshme dy objekte shkollore (Shkolla e Mesme Teknike në Drenas dhe Qendra Burimore- Shkollë Speciale në Prishtinë), derisa gjatë shtatorit do të përfundojnë punimet edhe në dy të tjera dhe deri në fund të vitit përfundojnë edhe tri objekte të tjera.

Viti i ri shkollor fillon me rreth 32 mijë nxënës që këtë vit fillojnë shkollën për herë të parë dhe me 24 mijë që do të vijojnë klasën e dhjetë; me 25 mijë punëtorë në nivelin e arsimit parauniversitar; me 1151 shkolla (prej tyre 734 shkolla amë dhe 417 paralele të ndara).

Ndërkohë, për 6 mujorin e punës, në mesin e shumë të arriturave të shënuara për këtë periudhë kohore, ministri Buja përmendi aprovimin nga ana e Kuvendit të Kosovës të dy ligjeve: Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe atij për arsimin e Lartë.
Ministri Buja, poashtu përmendi se vetëm pak orë më parë, ai kishte nënshkruar një dokument shumë të rëndësishëm për arsimin parauniversitar: Kornizën e Kurrikulës për Arsimin Parauniversitar. Poashtu, si ngjarje të rëndësishme, ministri theksoi miratimin nga ana e Qeverisë të Strategjisë e Arsimit të Kosovës 2011/2016.


—————————————————–


Raporti 6 mujor i punës së MASHT dhe aktivitetet e ministrit Buja


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në 6 mujorin e parë të këtij viti ka sendërtuar në tërësi objektivat që i ka paraparë në Planin e saj të punës për vitin 2011, si dhe në Planin e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në fakt është fillimi i implementimit të Strategjisë të Arsimit të Kosovës 2011-2016 , e që për objektiv kryesor e ka përmirësimin dhe sigurimin e cilësisë në sistemin e arsimit, përkatësisht ngritjen e standardeve në të gjitha fushat dhe nivelet arsimore.

Me realizimin e suksesshëm të parametrave të parapara për këtë periudhë kohore janë krijuar premisa të mira që të gjitha objektivat dhe prioritetet e parapara për vitin 2011 në MASHT të realizohen sipas dinamikës.

MASHT është përkushtuar në realizimin e Planit të detajuar të punës për vitin 2011, në harmoni me objektivat e Qeverisë dhe Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2011-2016.


Arsimi Parauniversitar- Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, janë miratuar dy dokumente bazike të arsimit: Është finalizuar dhe miratuar Korniza e Kurrikulës e Arsimit Parauniversitar të Kosovës.
– Qeveria ka miratuar Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2011/2016
– Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Arsimin Parauniversitar.
Miratimi i Ligjit dhe dy dokumenteve të përmendura kanë hapur shtigje dhe kanë krijuar mundësi për realizimin e shumë çështjeve fundamentale në zhvillimin bashkëkohor në të gjitha nivelet e arsimit si:
– Janë në fazën përfundimtare të hartimit kurrikulat bërthamë në fushat lëndore për nivele;
– Janë hartuar rezultatet themelore të të nxënit sipas fushave mësimore në shkallë vendi; 
– Ka filluar rishikimi i planprogrameve lënore në 3 shkollat pilot; 
– Është zhvilluar dhe po aplikohet Doracaku për zhvillimin e kurrikulave të fushave lëndore, ndërsa në proces të hartimit është edhe Doracaku për zbatimin e kurrikulave për mësues, drejtorë etj.; 
– Është realizuar trajnimi i hartuesve të materialeve mësimore për mësimdhënie.
– Janë duke u bërë përgatitjet për rishikimin e kurrikulave lëndore, si dhe hartimin e programeve lëndore për klasën e 11-të të shkollave profesionale;
-Është në proces hartimi i kurrikulave për mësim elektronik, sepse në bazë të KKK-së, parashihet integrimi i TIK-ut, si pjesë integrale e tij; 
– Është në proces hartimi i teksteve të gjuhës rome si mësim plotësues, si dhe po punohet në hartimin e tekstit të gjuhës shqipe për komunitetet joshqiptare;
– Po punohet për realizimin e projektit Tekste për diasporën /librat 2 dhe 3/, i cili po realizohet në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut (Zvicër).
– Duke i kushtuar një rëndësi të veçantë arsimit dhe aftësimit profesional, është duke u punuar për aprovim të shpejtë të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, e cila është një bazë e mirë për sigurimin e cilësisë në të gjitha shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional;
– Në funksion të ngritjes së cilësisë, është hartuar drafti i parë i dokumentit “Praktika profesionale për nxënësit e shkollave profesionale”; 
– Është zhvilluar një draft formulë për kalkulimin dhe analizimin e shpenzimeve në shkollat profesionale; 
– Është hartuar drafti i UA (Udhëzimeve Administrative) për Qendrat e Kompetencës; Tashmë dy Qendrat e ndërtuara në Skënderaj dhe Malishevë janë tërësisht funksionale dhe regjistrojnë nxënës për vitin e dytë, ndërsa janë në proces të ndërtimit edhe dy qendra të tjera në Ferizaj dhe Prizren.
– Është hartuar dhe është shpërndarë një pyetsor për biznese (për profile dhe kompetenca profesionale), me qëllim që të hulumtohen nevojat e tregut të punës; 
– Janë hartuar standardet e kurrikulave lëndore për profilet e Qendrave të Kompetencës si: për ekonomi-tregti, shëndetësi, bujqësi, IT, administratë, ndërtimtari.
– Janë finalizuar Udhëzimet Administrative për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
– Janë akredituar 5 programe të reja për trajnimin e mësimdhënësve, si dhe është përgatitur programi softuerik për licencimin e mësimdhënësve.
– Janë duke u hartuar programe për trajnimin e mësimdhënësve, me metodologji të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies sipas KKK-së.
-Janë duke u implementuar projekte të shumta nga donatorë për të krijuar një infrastrukturë të nevojshme për aplikim të TIK-ut në sistemin arsimor të Kosovës.
– Sektori i trajnimeve ka mbajtur takim me organizatat për akreditimin e programeve trajnuese dhe organizatave që i kanë fituar projektet për trajnim u është bërë shpërndarja e vendimeve; MASHT-i ka financuar trajnimin e mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në programin ECDL (deri më tani e kanë ndjekur këtë program mbi 9.000 arsimtarë).
– Janë realizuar me sukses katër vlerësime të jashtme për tri nivelet e shkollimit: Testi pilot i klasës së pestë; Testi i Maturës Shtetërore (afati i qershorit dhe ai i gushtit); Testi kombëtar i klasës së nëntë.
– Është bërë decentralizimi i financimit sipas formulës së financimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe është bërë hapja dhe riaktivizimi i të gjitha kodeve të shkollave që do të hyjnë në autonominë financiare, ndërsa help-desku (grupi ndihmës i Bankës Botërore), i ka informuar të gjitha DKA-të për këtë. 
– Është formuar Komisioni për hartimin e Udhëzimit Administrativ për krijimin e ekipeve për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mos regjistrimit në shkolla (kjo e fundit për komunitetin RAE). 
– Është bërë monitorimi dhe raportimi për zbatimin e strategjive nacionale (Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve RAE në shoqëri);
– MASHT, në bashkëpunim me Qendrën e Arsimit të Kosovës, kanë ndarë bursa për nxënësit e komunitetit RAE në Kosovë. 
– Është punuar dhe ka pasur rezultate të dukshme në arsimin special, në bashkëpunim me donatorët. Në këtë drejtim, është hartuar Plani Individual i Arsimit (PIA), dokument zyrtar pedagogjik, i cili hartohet për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.
-Ka përfunduar programi dyvjeçar i zhvillimit profesional: janë certifikuar 25 mësimdhënës, të cilët janë aftësuar për të përkrahur qasjen gjithëpërfshirëse dhe për të punuar me fëmijë me nevoja të veçanta.
– Është në proces pilotimi i PIA-s në 18 institucione arsimore.
– Është bërë përzgjedhja e 15 shkollave të rregullta për të qenë shkolla gjithëpërfshirëse. Në këto shkolla do të fokusohen 3 projekte, të cilat e ndihmojnë këtë proces.
– Ka filluar të realizohet projekti ‘’Parandalimi i dhunës në shkolla” në disa komuna të Kosovës, i cili realizohet në bashkëpunim me KEC-in dhe UNICEF-in.
– Gjatë kësaj periudhe janë arritur edhe rezultate të mira për arsimin parafillor, ku ndër të tjera është hartuar dokumenti i Standardeve të Zhvillimit dhe të Mësuarit në Fëmijërinë e Hershme, si dhe është pranuar nga Fakulteti i Edukimit që të jetë pjesë e programit të këtij fakulteti duke filluar nga viti akademik 2011/2012.
– Është punuar në finalizimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit mbi Parandalimin dhe Eliminimin e Formave të Këqija të Punës së Fëmijëve, si dhe është punuar në hartimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit kundër trafikimit me qenie njerëzore 2011-2014 .
– Është përgatitur matrica për monitorimin e të drejtave të fëmijëve.
– Janë hapur 4 qendra me bazë komunitetin në komunën e Mitrovicës, kryesisht në zonat rurale, me mbështetje financiare nga zyra e UNICEF-it në Zveçan.


Përmirësimi i infrastrukturës shkollore –
Është duke u implementuar plani i ndërtimit të objekteve të reja shkollore dhe adaptimi i objekteve ekzistuese, duke u bazuar në projektet standarde të shkollave të miratuara nga MASHT, e të cilat i plotësojnë standardet ISO për siguri dhe për aftësi të kufizuara.
– Janë duke vazhduar punimet në ndërtimin e 34 objekteve shkollore, në mesin e të cilave edhe një qendër burimore – shkollë speciale (përurimin e disa prej këtyre objekteve do ta bëjmë gjatë këtyre ditëve).
– Është përcaktuar lokacioni për ndërtimin e shkollës fillore në Prishtinë.
– Vazhdon bashkëpunimi me CHF (Cooperative Housing Fondation), për ndërtimin e anekseve në objekte shkollore.
– Është bërë planifikimi për furnizimin me inventar për shkollat ku përfundon ndërtimi.
– Janë duke vazhduar punimet në ndërtimin e ndërtesës së Fakultetit të Edukimit, Konviktit nr. 7, në Qendrën e Studentëve, Bibliotekës Universitare si dhe renovimit të Institutit Albanologjik.
– Është marrë vendim për realizimin e projektit “Mjedis i Gjelbërt Shkollor” gjatë vitit 2011/2012. Më 22 prill 2012 secila DKA në bashkëpunim me MASHT-in do të shpallë tri shkollat më të mira me mjedis të gjelbëruar, ndërsa më 5 qershor, tri shkollat më të mira në nivel shteti.
– Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, është në përfundim e sipër aksioni për furnizimin e të gjithë nxënësve të arsimit të obliguar (deri në kl.IX) me tekste dhe mjete mësimore. 
– MASHT në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkolla ka bërë përgatitjet profesionale dhe teknike (të cilat i ka pasur në agjendë) dhe shpresojmë që të kemi një fillim të mbarë dhe të suksesshëm të vitit shkollor.


Arsimi i Lartë, Shkenca dhe bashkëpunimi me donatorë
– Sa i përket këtij niveli, në këtë periudhë janë shënuar hapa të rëndësishëm drejt rifillimit të Shkollës së Doktoratës, caktimit të kuotës për regjistrim në master nga universitetet private në atë publik, janë akredituar të gjithë Bartësit Privat të Arsimit të Lartë që i kanë plotësuar kriteret programore dhe ligjore; është kompletuar bordi i Universitetit të Prizrenit dhe është shpallur konkursi për kuadrin arsimor dhe zgjedhjen e rektorit të ri.
– Ka përfunduar faza e parë e pranimit të studentëve në UP dhe UPZ dhe këto ditë pritet shpallja e konkursit plotësues. Me këtë rast, i është kushtuar vëmendje përfshirjes së studentëve shqiptarë jashtë trojeve etnike dhe minoriteteve.
– Është organizuar konferenca Shkencore “Java e Shkencës”, nga 18-20 Maj 2011, me ç’rast janë prezantuar 54 kumtesa, të cilat u botuan në një botim të veçantë.
– Është organizuar Seminari mbarëkombëtar për mësimin plotësues në diasporë; 
– Është organizuar dhe mbajtur simpoziumi i 30-të i studiuesve të huaj të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare; 
– Qendra NARIC gjatë periudhës janar-shtator ka pranuar dhe përfunduar procedurën për mbi 200 lëndë për nostrifikim;
– Agjencia e Akreditimit e Kosovës është pranuar si anëtare e ENQA-s dhe këto ditë pret zgjedhjen e drejtorit;
– Është ngritur komision i përbashkët me Rektoratin e UP-së për reformimin e Fakultetit të Edukimit, i cili edhe këtë vit do të punojë sipas modelit të vitit të kaluar;
Në MASHT rëndësi e veçantë i kushtohet agjendës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian. Në këtë drejtim, përveç shumë takimeve dhe aktiviteteve, ka filluar implementimi i programit Teach a Day, financuar dhe organizuar nga EU Special Representative (EUSR), me qëllim të informimit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, në lidhje me idenë, strukturën dhe çështjet e Bashkimit Evropian, si dhe jemi në rrugë të mirë në gjetjen e donatorit serioz për ndihmë në digjitalizimin e programit mësimor.
– Në kuadër plotësimit të infrastrukturës ligjore, në Kuvend janë miratuar: Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe Ligji për Arsimin e Lartë; 
– Pritet së shpejti edhe miratimi i Projektligjit për Veprimtarinë Kërkimore -Shkencore.
– Janë nxjerrë 62 vendime, janë përgatitur 13 memorandume dhe 49 shkresa tjera;
-Është nënshkruar dhe është realizuar marrëveshja me Universitetin e Sheffield-it për ndarjen e 43 bursave për studentët kosovarë.

Aktivitetet e ministrit Buja
Në përputhje me objektivat e punës (1. Vazhdimi i implementimit të standardeve, 2.Përmirësimi i infrastrukturës shkollore, 3.Ngritja e cilësisë në mësim, 4. Thellimi i bashkëpunimit me partnerët zhvillimor të arsimit, 5. Sigurimi i kushteve për arsimin e minoriteteve dhe integrimi i tyre në sistemin e arsimit të Kosovës, 6. Intensifikimi i punës në përfundimin e Kornizës së Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar të Kosovës), ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka realizuar shumë aktivitete.

Gjatë kësaj periudhe, ministri i Arsimit ka pritur ambasadorë, udhëheqës të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare dhe vendore si dhe të shoqërisë civile, me të cilët i ka diskutuar sfidat në arsim dhe thellimin e bashkëpunimit në funksion të ngritjes së cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe të shkencës dhe teknologjisë në Kosovë.

Ministri Buja ka marë pjesë edhe në shumë aktivitete të rëndësishme në arsim, ndër të cilat ka hapur Seminarin ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare si dhe Seminarin mbarëkombëtarë me mësueset dhe mësuesit e shkollave shqipe të mësimit plotësues në diasporë.

Ministri Buja gjatë kësaj kohe ka realizuar edhe disa vizita jashtë vendit. Ai ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare të politikave të nivelit të lartë mbi rolin e provave në arsimin profesional dhe trajtimin e politikave dhe strategjive (ku është takuar me shumë homologë nga shtete të ndryshme). Kjo konferencë është mbajtur në Torino të Italisë. Ka pasur një paraqitje disa minutëshe para përfaqësuesve të vendeve të rajonit.

Ministri Buja ka qëndruar për një vizitë edhe në Shqipëri, ku është pritur nga kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Gjatë këtyre takimeve është biseduar për intensifikimin e punëve për realizimin në tërësi të Marrëveshjes së nënshkruar një vit më parë nga ministrat e dy vendeve në drejtim të përafrimit dhe integrimit të planeve, programeve dhe teksteve shkollore (duke filluar nga Abetarja), diplomave të përbashkëta, dhe bashkëpunimit më të madh në fushën e shkencës.

Ministri Buja, po ashtu ka realizuar një vizitë në Zvicër, ku është takuar me ministrin e Arsimit të kantonit të Gjenevës, Charles Beer, nga i cili ka marrë mbështetjen dhe premtimet për ndihmë arsimit në Kosovë, por edhe për arsimimin e komunitetit shqiptar që jeton atje.

Përveç aktiviteteve të përditshme, ministri Buja ka iniciuar edhe shumë përmirësime në infrastrukturën ligjore, si: Ligji për Arsimin e Lartë dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar (tashmë të miratuar); Identifikimi i problemeve në Udhëzimet Administrative ekzistuese dhe plotësimi i tyre si dhe nxjerrja e UA të reja; Formimi i 6 këshillave shkencore sipas fushave, konform Ligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore; Kompletimi i këshillave administrative të njësive vartëse të MASHT-it; Propozim- vendimi dhe aprovimi në Qeveri i vendimit për harmonizimin e pagave për punëtorët e Institutit Albanologjik dhe atij të Historisë, konform Ligjit për Arsimin e Lartë; Kompletimi i Bordit të Universitetit të Prizrenit dhe intensifikimi i punës për përgatitjen e dokumentacionit për Kuvendin e Kosovës, si dhe shpallja e konkursit për rektor të UPZ; Përgatitja e elaboratit për hapjen e Univesitetit të Pejës; Përcaktimi i dinamikës së pilotimit të Provimit të Maturës si provim pranues në tri fakultete: Fakultetin e Bujqësisë, Fakultetin e Makinerisë dhe FSHMN-në; Pilotimi i akreditimit në 5 shkolla profesionale publike nga Autoriteti Kombëtar i Kulifikimeve.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.