MASHT

Ministri Buja ka pritur udhëheqës të institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencës

4 Mars, 2011

Po ashtu, ministri i Arsimit ka pasur një takim edhe me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Sverre Johan Kvale, nga i cili ka marrë premtimet se shteti norvegjez do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën

Në vazhdën e takimeve njohëse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka pasur sot takime të shumta me udhëheqës të institucioneve vendore të arsimit të lartë dhe shkencës si dhe ka pritur në një takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë. Nga mysafirët, ministri Buja ka pranuar urimet për detyrën e tij të re si ministër dhe zotime se do të vazhdohet puna e përbashkët në të mirë të arsimit kosovar dhe shkencës.

Pasi që i ka uruar detyrën si ministër i Arsimit, ambasadori Sverre Johan Kvale e ka njoftuar ministrin Buja me projektet që po i realizon shteti norvegjez në Kosovë, kryesisht për dy qendrat e kompetencës të nderuara në Skenderaj dhe Malishevë nga shteti norvegjez, e që është edhe projekti më i madh në Kosovë, por edhe në Ballkan i Norvegjisë.

Ambasadori Kvale theksoi se ndihma e shtetit të tij do të jetë e njëjtë për Kosovën dhe pse Norvegjia ka zvogëluar ndihmat për shtetet e Ballkanit, lajm ky që ministri Buja e vlerësoi si shumë të rëndësishëm. “Ne jemi shumë të gëzuar që kjo ndihmë do të vazhdojë për ne. Nëse arrijmë që Kosovën ta bëjmë vend të dijes, ne kemi realizuar misionin tonë”, u shpreh ai.

Ministri Buja e falënderoi ambasadorin dhe shtetin norvegjez për ndihmën që po i japin arsimit kosovar dhe theksoi se investimi i tyre disa milionësh është bërë pikërisht në vendin e duhur, kur dihet se këto qendra do të përgatisin nxënësit që të dalin në tregun e punës brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Ministri i Arsimit, premtoi se shumë shpejt do t’i vizitojë dy qendrat e kompetencës, të cilat Norvegjia do t’i përkrahë edhe më tutje sidomos në trajnimin e mësimdhënësve.

Ndërsa, gjatë pasdites, ministri Buja ka pritur stafin udhëheqës të Universitetit të Prishtinës, në krye me rektorin Mujë Rugova dhe dekanët e të gjitha fakulteteve, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes në UP dhe së bashku janë zotuar për bashkëpunim në ngritjen e cilësisë në këtë universitet publik.

Ministri Buja gjatë ditës së sotme është takuar edhe me drejtorët e instituteve: Institutit Albanologjik, Institutit të Historisë dhe Institutit Pedagogjik, me të cilët po ashtu ka biseduar rreth gjendjes aktuale në këto institute dhe punës së përbashkët në të ardhmen në fushat që mbulojnë këto institute dhe rëndësinë që kanë në arsimin dhe shkencën kosovare.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.