MASHT

Ministri Buja ka pritur përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë

9 Mars, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pasur sot disa takime informuese nga institucione dhe organizata ndërkombëtare që mbështesin arsimin në Kosovë, nga të cilët ndër të tjera ka marrë edhe urimet për detyrën e re si ministër i Arsimit.

Gjatë një takimi që ka pasur ministri Buja me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, ka biseduar rreth bashkëpunimit me shtetin turk në fushën e arsimit dhe të dy palët janë zotuar për bashkëpunim të mëtejmë në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.

Ministri Buja ka falënderuar Republikën e Turqisë për atë që ka bërë deri më tani, sepse ai u shpreh se rezultatet janë të prekshme si fryt i këtij bashkëpunimi dhe ndër të tjera theksoi rezultatin e arritur rreth kolegjit “Mehmet Akif”. “Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë me ritëm edhe më të shtuar. Ndihma juaj është shumë domethënëse për ne, sepse konsideroj se kështu do ta bëjmë më të mirën për arsimin në Kosovë”, tha ministri Buja.

Ambasadorja Ozan, ndërkaq, theksoi se vendi i saj, përveç lidhjeve tjera që ka me Kosovën, e ka mbështetur arsimin në Kosovë dhe do të vazhdojë përkrahjen në këtë fushë, sepse, siç u shpreh, Turqia vlerëson se edukimi është shumë parësor.

Në një takim tjetër që ministri Buja ka zhvilluar me përfaqësuesit e organizatës holandeze SPARK, është informuar nga drejtori i kësaj organizate Yannick Du Pont rreth projekteve që janë zhvilluar në Kosovë si rezultat i bashkëpunimit me SPARK-un. Ndër të tjera, ai veçoi Universitetin Veror të Prishtinës dhe Qendrën për Themelimin e Biznesit, ndërsa informoi ministrin Buja edhe me punën që është bërë deri më tani në themelimin e Universitetit Ndërkombëtar të Mitrovicës.

Ministri Buja shprehu gatishmërinë që bashkëpunimi me këtë organizatë të vazhdojë edhe më tutje, sidomos në punën e Universitetit Ndërkombëtar të Mitrovicës.

Ministri Buja, sot ka pritur edhe ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer, me të cilin, po ashtu ka biseduar për fushat ku OSBE-ja ka investuar deri më tani dhe mundësitë e investimeve në të ardhmen.

Ambasadori Almhofer theksoi faktin se kjo organizatë është e fokusuar në mbështetje të arsimit të lartë dhe tha se njëri nga aspektet ku OSBE ka pasur fokusin, ka qenë ngritja e cilësisë në Universitetin e Prishtinës.

Ministri Buja, ndërkaq, theksoi se përkushtimi i tij në krye të këtij dikasteri është për ngritjen e cilësisë, sepse theksoi se deri më tani kemi qenë më shumë të fokusuar në infrastrukturë që ka qenë shumë e nevojshme.

Gjatë ditës së sotme, ministri Buja, gjithashtu, zhvilloi një takim edhe me presidentin e Universitetit Amerikan në Kosovë, Cristopher G.L Hall me bashkëpunëtorë, me të cilët bisedoi për zhvillimet aktuale në arsimin e lartë, veçanërisht në Universitetin Amerikan.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.