MASHT

Ministri Buja ka pritur ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë

10 Mars, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pritur sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbach, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit të deritanishëm të dy shteteve në fushën e arsimit, por edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Pasi që ka uruar ministrin Buja për detyrën e tij në krye të këtij dikasteri, ambasadori Steinbach e ka njohur atë me punën që ka bërë shteti gjerman në fushën e arsimit dhe në këtë drejtim ka theksuar projektet e GTZ-së së deritanishme (tanimë GIZ) që janë të koncentruara në arsimin profesional. Por, ai shprehu interesimin e vendit të tij që të bashkëpunojë edhe më shumë në arsimin e lartë me dy universitetet publike në vend, Universitetin e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.

“Ne kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm deri më tani dhe shpresojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mendojmë se shumë gjëra që kemi bërë në sektorin e arsimit bashkë, i kemi bërë në mënyrë shumë të suksesshme”, tha ai, ndërsa theksoi faktin se Kosova ka një popullsi shumë të re dhe ka nevojë për arsim dhe shkencë, për çka shteti gjerman është i gatshëm të vazhdojë të japë ndihmën e vet.

Ministri Ramë Buja falënderoi Republikën e Gjermanisë për gjithçka që ka bërë deri më tani për Kosovën, e veçanërisht për ndihmën e madhe në fushën e arsimit. Ai shprehu gatishmërinë që të vazhdohet edhe më tutje ky bashkëpunim që e vlerësoi si shumë të nevojshëm. “Jemi të gatshëm për bashkëpunim me tendencën për t’u rritur dhe për t’u bërë më i fuqishëm. Nëse këtë popullsi shumë të re që e kemi ne, e arsimojmë drejt dhe mirë, nuk kemi pse i frikësohemi perspektivës”, tha ministri Buja

Ambasadori Steinbach e njoftoi ministrin Buja se shumë shpejt do të vijë për vizitë në vendin tonë ministrja për Arsim dhe Shkencë e Gjermanisë.

Pas dite, ministri Buja e ka pritur edhe rektorin e Universitetit të Prizrenit, Roland Munch, me të cilin ka biseduar për zhvillimin e mëtejmë të këtij universiteti dhe zhvillimin e programeve të reja. Ministri Buja ka ofruar mbështetjen e mëtutjeshme të tij dhe të Ministrisë së Arsimit për forcimin e Universitetit të Prizrenit.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.