MASHT

Ministri Buja dhe ministri Dinçer dakordohen për thellim të bashkëpunimit në arsim

19 Gusht, 2011

Prishtinë, 19 gusht 2011- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), z. Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministrat, ka takuar sot ministrin e Arsimit të Turqisë, Omer Dinçer më bashkëpunëtorë.

Ministri Buja dhe homologu i tij nga Turqia, Omer Dinçer, janë pajtuar që këto dy vende, përveç në aspektin politik, duhet të avancojnë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, sidomos në arsim.

Ministri Buja, pasi ka falënderuar ministrin turk për ndihmesa të shumëanshme në arsimin kosovar, tha se në këtë takim është diskutuar edhe çështja e marrëveshjes, e cila ka të bëjë me themelimin e një Universiteti turk në Kosovë.

Z. Buja po ashtu vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë duhet të intensifikohet dhe materializohet me një memorandum për të konkretizuar punët, angazhimet dhe ndihmesat që Turqia i ka bërë dhe do t’i bëjë Kosovës.

Ministri i Arsimit i Turqisë, Omer Dinçer, theksoi se takimi me ministin Buja ishte profitabil dhe i suksesshëm. Z. Dinçer tha se Turqia i ka ndihmuar Kosovës në faza të ndryshme të saj, duke përfshirë edhe periudhën e paraluftës, ndërkaq shtoi se Kosova është lokacion strategjik i rëndësishëm në Ballkan.

Dinçer pohoi se zhvillimi i demokracisë dhe stabiliteti në Kosovë pasqyrohet edhe në stabilitetin dhe demokracinë e përgjithshme në rajon dhe Ballkan.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.