MASHT

Ministri Buja bëri hapjen e Garës Evropiane të Robotëve 2011

4 Maj, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka bërë sot hapjen solemne të Garës Evropiane të Robotëve që luajnë futboll “Euroby 2011”, garë e cila është organizuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare për robotikë FIRA-n.

Duke qenë se kjo garë po mbahet nën patronatin e MASHT-it, respektivisht ministrit Buja, ai u shpreh shumë i kënaqur dhe i privilegjuar për këtë fakt, sepse theksoi se insistimi i këtij mandati është që të rrisë cilësinë, dhe kjo është në kuadër të kësaj.

“Jam i gëzuar që marr pjesë në këtë garë që është shkencore dhe sportive, një gërshetim i ççuditshëm logjik dhe përmbajtësor. Kjo garë ka kuptim të shumëfishtë, por dua të theksoj njërin nga këto kuptime, se kjo garë realizohet në vigjile të 9 Majit, Ditës së Evropës dhe ne në këtë ngjarje po tregojmë se jemi në nivel për të dëshiruar shkencor dhe pretendimet tona janë drejt Evropës me cilësi. Unë besoj se kjo është një dëshmi shumë e fuqishme”, tha ministri Buja.

Ministri i Arsimit i uroi sukses UBT-së, shkencës që zhvillohet në këtë institucion dhe vet aktiviteteve të garës.

Drejtori i UBT-së, Edmond Hajrizi tha se kjo është një garë shkencore, sepse përveç garës së robotëve ku prapaskena lidhet me arritje të mëdha shkencore, dhe disa seminare dhe ligjërata të nivelit të lartë në fushën e mekatronikës dhe robotikës. “Të gjitha konceptet, strategjitë këtu po zhvillohen prej studentëve këtu dhe kjo është e një e mirë sepse është një motivim edhe për studentët që të kenë qasje në pajisje të tilla”, tha ai.

Gara e cila do të zhvillohet për tri ditë radhazi po mbahet në ambientet e UBT-së, ndërsa po marrin pjesë edhe ekipe nga shumë vende të Evropës si: Austria, Sllovakia, Sllovenia, çekia, Gjermania. Kosovën në këtë kampionat do ta përfaqësojë ekipi “Kosova-UBT”.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.