MASHT

Ministrat Buja dhe Tafaj intesifikojnë përpjekjet për Abetaren e përbashkët

31 Tetor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, ka pritur sot një delegacion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, kryesuar nga ministri Myqerem Tafaj.

Gjatë takimeve mes ministrave Buja dhe Tafaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre është biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit, ndërsa një vend të rëndësishëm në këto takime ka zënë çështja e Abetares së përbashkët, për të cilët tashmë është formuar një grup punues i përbashkët dhe synohet nga të dyja shtetet që kjo Abetare të jetë e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2012/2013.

Ndërkaq, të dy ministrat u zotuan që do të punohet seriozisht edhe më tutje në drejtim të harmonizimit të planeve dhe programeve, për të cilën tashmë janë duke punuar 9 grupe të përbashkëta

Gjatë takimit, ministri Buja e informoi homologun e tij për gjendjen e sistemit arsimor në Kosovë në të gjitha nivelet. Në këtë drejtim, ai përmendi miratimin e dy ligjeve (Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Arsimin e Lartë), Kornizën e Kurrikulës si dhe miratimin e Planit Strategjik Zhvillimor 2011/2016. “Këto dokumente na favorizojnë që të jemi më të sigurtë në punën tonë”, tha ministri Buja.

Ministri Buja po ashtu përmendi faktin se së fundmi Qeveria e Kosovës për vitin e ardhshëm ka ndarë buxhet më të lartë për arsimin. Mirëpo, ai falënderoi ministrin Tafaj për ndihmën që ka dhënë shteti i tij edhe në sferën e arsimit, dhe theksoi se këto përvoja do të shërbejnë edhe në të ardhmen. “Do të vazhdojmë t’i marrim përvojat për të gjitha ato procese që bëhen mirë në Shqipëri dhe anasjelltas”, tha ministri Buja.

Ndërsa, ministri Tafaj foli rreth gjendjes së arsimit në shtetin e tij, ku ndër të tjera tha se është arritur një shkallë më e lartë e përfshirjes në të gjitha nivelet e arsimit dhe në këtë drejtim theksoi përfshirjen më të madhe që është arritur në sistemin e arsimit parashkollor. Ai tha se është duke iu kushtuar më shumë rëndësi arsimit profesional, ku lavdëroi punën që është bërë në Kosovë në këtë fushë. “Reforma në arsimin profesional është reforma më e rëndësishme, sepse i shërben zhvillimit ekonomik dhe uljes së shkallës së punësimit”, tha ministri Tafaj.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.