Me 1 Shtator fillon viti i ri shkollor 2010/2011

31 Gusht 2010

Nesër, me datë 01 shtator, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës fillon viti i ri shkollor. Me këtë rast, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

Edhe këtë vit, rreth 360 mijë nxënës nga klasa 1 deri 9 do të pajisen me tekste shkollore falas. Ky vit shkollor do të përcillet me shumë risi, që do të jenë pjesë e reformave të nisura në arsim.

Ndër risitë kryesore do të jetë reforma e Kurrikulumit të Kosovës. Gjatë këtij viti fillon për herë të parë hartimi i programeve të reja mësimore për lëndët specifike veç e veç. Do të bëhet po ashtu edhe rishikimi i teksteve shkollore, si dhe do të fillojë procesi i kualifikimeve dhe rikualifikimeve të mësimdhënësve.

Këto dhe reforma tjera do t'i bëjmë së bashku me mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit. Pra, së bashku na presin shumë risi, shumë projekte dhe reforma, të cilat do ta shndërrojnë Kosovën në shtet të bazuar në dije.

Edukimi është bazë mbi të cilin mund ta ndërtojmë krenarinë tonë për të kaluarën, dhe një besimi të fuqishëm për të ardhmen. Le t'i bashkohemi edhe këtë vit të ri shkollor këtij slogani, në mënyrë që ta shndërrojmë Kosovën në shtet të dijes.

Mbi këtë bazë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë uron të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, profesorët dhe familjet e Republikës së Kosovës për një fillim të mbarë shkollor.

Misioni i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është që Kosova të shndërrohet në një shoqëri demokratike.

Një Kosovë e integruar në rrjedhat evropiane, që ofron kushte dhe mundësi të barabarta për zhvillim personal të të gjithë qytetarëve.

Një Kosovë, ku qasja në përfitim të dijes, të aseteve kërkimore-shkencore dhe të përfitimit të shkathtësive, janë për të gjithë të interesuarit të ofruara dhe në funksion të zhvillimit të përshpejtuar dhe të qëndrueshëm të republikës sonë.

Në këtë drejtim, Kosova si shtet i bazuar në dije, duhet të ketë shkathtësi konkurruese brenda dhe jashtë saj, me mundësi të përgatitjes për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kulturor, politik dhe shoqëror.

Në këtë rrafsh, arsimi është identifikuar si sektor me prioritet të lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila është e përkushtuar drejt politikave që mundësojnë zhvillim ekonomik, e ku ndërtimi i kapitalit njerëzor luan një rol vendimtar në të gjitha sferat e jetës në shoqëri.