MASHT

MASHTI DHE KOLEGJI CITY OFROJNË 60 BURSA PËR STUDIME NË KËTË KOLEGJ NË GREQI

1 Maj, 2021

Ministria e Arsimit, Shekncës dhe Teknologjisë (MAShTI) dhe Kampusi Evropian i Universitetit të Jorkut në Selanik – Kolegji CITY do të ofrojnë 60 bursa për studentë nga Kosova për studime në nivelet bachelor, master dhe MBA (program ekzekutiv i diplomës duale pan-evropiane, forma e studimit me kohë të pjesshme-fundjavë).

Për këtë, sot ministrja Arbërie Nagavci dhe presidenti i Kolegjit CITY, njëherësh edhe drejtor i këtij kolegji, Ioannis Ververidis kanë nënshkruar Protokollin e Bashkëpunimit, sipas të cilit këto bursa do të fillojnë  nga viti akademik 2021/2022 deri në përfundim të programit specifik akademik.

Ministrja Nagavci falënderoi presidentin Ververidis për mbështetjen që i është dhënë vit pas viti arsimit të lartë në Kosovë dhe të rinjve tanë përmes përkrahjes financiare për të studiuar në këtë Kolegj.

Edhe zv/ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci e ka vlerësuar të rëndësishëm krijimin e mundësisë për përgatitjen dhe avancimin akademik të studentëve tanë që dëshirojnë të studiojnë në Kolegjin CITY.

Ndërsa, presidenti Ververidis shprehu kënaqësinë e tij që do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen, pasi që në këtë mënyrë po i shërbehet arsimit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Sipas Protokolit të nënshkruar sot, 30 bursa do të jepen me tarifë studimi të plotë (100 përqind) dhe 30 të tjera me tarifë studimi gjysmë të plotë (50 përqind).

Afati i fundit për aplikim për bursa është caktuar të jetë data 28 qershor 2021. Për këtë, MAShTI së shpejti do të publikojë në faqen zyrtare edhe konkursin, ku kandidatët do të informohen rreth kritereve dhe detajeve të aplikimit.

Bashkëpunimi me Kolegjin CITY ka filluar që nga viti 2009, ndërsa numri i bursave është rritur nga viti në vit.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.