MASHT

MASHT-i publikoi rezultatet e procesit të licencimit për institucionet private parauniversitare

18 Gusht, 2010

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), përkatësisht Komisioni për Licencimin e Institucioneve Parauniversitare Private, ka bërë të ditura sot rezultatet e procesit të licencimit të institucioneve parauniversitare private, të cilat kanë aplikuar për licencë në MASHT (Institucioneve që iu ka skaduar licenca dhe atyre që kanë aplikuar për herë të parë).

Osman Shahini, kryetar i Komisionit, me këtë rast, bëri të ditur se kësaj radhe vendimet janë dhënë për 16 institucione, ndërsa tha se gjatë vitit të ardhshëm, të gjitha institucionet private të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës, do të kenë një vendim të detajuar për të ardhmen e tyre.

“Në sektorin e arsimit privat parauniversitar janë bërë investime të mëdha, ka nisma shumë serioze dhe megjithëse në një kohë të shkurtër, këto institucione, me matjet që bëhen nëpërmes testit të maturës, shumica kanë dalë me rezultate shumë të larta, gjë që i bën pjesë serioze të arsimit në Kosovë”, theksoi ai.

Shahini bëri të ditur se licencimi i këtyre shkollave do të bëhet vetëm për një vit. “Është hera e parë që licencat lëshohen vetëm për një vit, për faktin se është synim i MASHT-it që shkollat private në vitin shkollor 2011/2012 të jenë të akredituara paraprakisht, të cilën do ta bëj Agjencioni Kombëtar për Akreditim, që nuk është i njëjti me Agjencionin e Akreditimit për Institucionet e Larta”, tha ai.

Institucionet që kanë marrë licencë kësaj radhe janë: Qendra Sociale-Edukative “Don Bosko” në Prishtinë; “Luarasi” në Prishtinë; Cembridge School” në Pejë, “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë; “American School of Kosova” në Prishtinë, “ZENIT” në Prugovc-Prishtinë; Qendra për Arsim dhe Aftësim Profesional “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë; “International Learning Group”, në Prishtinë; Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Ura Vision” në Pejë; Shkolla e Mesme Profesionale “Ismet Jashari-Kumanova” në Davidovc-Shtime; “Prishtina High School” në Prishtinë; “Amadeus” në Prishtinë; “ART” në Prishtinë, Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Vlora Nice” në Prizren;

Komisioni ka vlerësuar se institucioni “Frames” nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga MASHT-i që të funksionojë si institucion privat parauniversitar dhe ka rekomanduar që të njëjtit t’i hiqet licenca.

Po ashtu, Komisioni ka rekomanduar që “QSI Internacional”, duke qenë se e ka ndërprerë veprimtarinë, për funksionim të mëtutjeshëm duhet të aplikojë sërish për licencë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.