MASHT angazhohet për ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë të Kosovës

07 Korrik 2010

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me VUS- Austria, Zyra në Prishtinë, organizuan Seminarin me temë: "Programet e Përbashkëta dhe Njohja Akademike".

Qëllimi i këtij seminari ishte, njohja me zhvillimet më të fundit në fushën e arsimit të lartë, zhvillimi i programeve të përbashkëta, trendët aktuale në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Bashkëpunimin ndërinstitucional mes Universitetit te Prishtinës dhe Universiteteve nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë,Procesi i Bolonjës.

Në emër të Ministrit të Arsimit Enver Hoxhaj, të pranishmit i përshëndeti Avdulla Alija, drejtor i departamentit për Arsim ta Lartë në. Ai ka falënderuar për kontributin e çmuar, Qeverinë Austriake përkatësisht Organizatën Joqeveritare VUS-Austria, që është implenentuese e projekteve arsimore në fushën e Arsimit të Lartë në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është fokusuar që të nxisë zhvillimin e programeve të përbashkëta, dhe njohjet reciproke Akademike në mes Kosovës dhe vendeve të ndryshme të Evropës dhe në këtë kontekst Procesi i Bolonjës është qenësorë edhe për ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë.

Z. Alija u prezantua edhe me temën "Roli i Arsimit të Lartë në zhvillimin ekonomik të vendit".

Ndërkaq Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, ndër tjera tha se Organizata Joqeveritare VUS, e specializuar për implementim te programeve, ka zhvilluar dhe zbatuar në Universitetin e Prishtinës më shumë se 100 lëndë te reja mësimore si dhe katër programe Master. Këto programe janë zhvilluar në bashkëpunim shumë të ngushtë me Universitetet partnere nga Austria, ndërkohë po mundohemi që sa më shumë ta lidhim Universitetin e Prishtinës me Ekonominë dhe nevojat tregut të punës.

Të pranishmit i përshëndeti edhe z Christian Geosits, (Austri) i cili ndër tjera tha se VUS - Austria është e përkushtuar që edhe më tej të mbështes zhvillimet programore dhe ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë të Kosovës.

Punimet e këtij seminari do të vazhdojnë edhe nesër ku pritet të dalin edhe rekomandimet.