MASHT

LANSOHET UDHËRRËFYESI PËR SISTEMIN INFORMATIV TË KËRKIMEVE SHKENCORE

25 Maj, 2021

Është lansuar të martën, Udhërrëfyesi për zhvillimin e Sistemit Informativ të Kosovës për Kërkime Shkencore (CRIS), i mundësuar nga Projektet ‘HERAS Plus’ dhe ‘ResearchCult’, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

‘HERAS Plus’ financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA)kurse ‘ResearchCult’ financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Të dy projektet bashkë-financohen nga MASHTI.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se MASHTI i ka marr obligimet e veta për përkrahjen e zhvillimit të sistemit dhe tashmë ka themeluar grupin punues i cili do të merret me definimin e termave të referencës për zhvillimin e sistemit dhe zhvillimin e udhëzimit administrativ për funksionalizimin e tij.

Ai ka shtuar se ky sistem ndërlidhet me prioritete tjera shumë të rëndësishme për Kosovën siç janë: Programi Horizon Europe, zhvillimi i Strategjisë së Specializimit të Mençur dhe procesi i hartimit të Programit Kombëtar të Shkencës nga Këshilli Kombëtar i Shkencës.

Zëvendës Udhëheqësja e Bashkëpunimit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Hillen Francke tha se CRIS është një sistem i rëndësishëm për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe vlerësimin e aktiviteteve të kërkimeve shkencore që ndikojnë në kualitetin e hulumtimeve dhe rrisin mundësitë për absorbimin e fondeve nga programet e financimit të BE-së siç është Horizon Europe.

Kurse, Udhëheqësja e ADA-s, Sandra Horina, theksoi se ky sistem i rëndësishëm për proceset dhe aktivitetet e kërkimeve shkencore vjen si konsistencë e angazhimit dhe kontributit të donatorit Austriak ndër vite përmes projekteve paraardhëse në kuadër të së cilëve janë hulumtuar kapacitetet kërkimore-shkencore të Kosovës dhe janë nxjerrë rekomandime konkrete që kanë sjellë deri  tek aktiviteti i CRIS-it.

Udhëheqësi i projektit ‘HERAS Plus’, z. Aqim Emurli vlerësoi përkushtimin e MASHTI-t për përkrahjen e zhvillimit të sistemit CRIS dhe duke ju referuar logjikës së intervenimit të projektit, në nivelin e Politikave, Kërkimeve Shkencore dhe nivelin e Universiteteve.

Ai shpjegoi qasjen gjithëpërfshirëse të sistemit CRIS i cili siguron qëndrueshmërinë e sistemit dhe rritjen e potencialit për të ndikuar në standardizimin e procedurave të mbledhjes, shkëmbimit dhe përdorimit të të dhënave për qëllime të politik bërjes dhe proceseve të ndryshe të ndërlidhura, si ajo e akreditimit, promovimit akademik dhe përfitimit nga fondet qeveritare për përkrahjen e kërkimeve shkencore.

Sistemit Informativ i Kosovës për Kërkime Shkencore (CRIS) është emri i një platforme të sofistikuar për mbledhjen, depozitimin e të dhënave dhe rregullimin e proceseve përkatëse në fushën e kërkimeve shkencore dhe inovacionit e cila do të zhvillohet në bazë të udhëzimeve në Udhërrëfyesin e përgatitur nga ekspertiza ndërkombëtare e ‘HERAS Plus’ në bashkëpunim me projektin ‘ResearchCult’.

Ky sistem parashihet t’i shërbej para së gjithash MASHTI-t me të dhëna të cilat do ta ndihmojnë procesin e shkëmbimit të rregullt të të dhënave relevante në mes të Institucioneve përkatëse, si Agjencia e Statistikave dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim, dhe të mbështesë politik-bërjen në fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimeve Shkencore duke u bazuar në të dhëna.

Sistemi do të jetë po ashtu, i dobishëm për Universitetet, stafin kërkimor, Institutet hulumtuese etj.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.