MASHT

LANSOHET RRJETI I EDUKATORËVE PARAFILLOR

15 Korrik, 2021

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të Rrjetit të Edukatorëve Parafillor, i cili është një nga komponentet e Projektit “SHPRESE”, i cili implementohet nga Caritas-i ziceran.

Me këtë rast, zv/ministrja Maloku Bërdyna theksoi se edukimi në fëmijërinë e hershme është njëri nga prioritetet kryesore të MAShTI. Ajo falënderoi partnerët që mbështesin këtë nivel edukimi, të cilët bëjnë të mundur realizimin e shumë projekteve inovative të cilat lidhen drejtpërdrejtë me cilësinë e shërbimeve në moshën e hershme.

Në këtë drejtim, ajo theksoi se, projekti “SHPRESE” është njëri nga projektet që kontribuon në përmirësimin e cilësisë së edukimit parafillor në Kosovë përmes shërbimit qeveritar të përmirësuar dhe të qëndrueshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për edukatorët ekzistues parafillor në nivelin komunal dhe krijimi i një mjedisi miqësor për fëmijët në klasat parafillore.

Zëvendësministrja Maloku Bërdyna tha se Ministria e Arsimit do të jetë e hapur dhe do të mbështesë fuqishëm projekte të tilla.

Ndërsa, Drejtori i Caritasit Zviceran në Kosovë, Gerhard Schaumberger, po ashtu, theksoi rëndësinë që ka edukimi në fëmijërinë e hershme, ndërsa shprehu kënaqësinë për lansimin e këtij rrjeti, i cili do t’u mundësojë bashkëpunim dhe komunikim më të lehtë edukatorëve në Kosovë për të ofruar shërbime sa më cilësore.   

Ky projekt është duke u realizuar në bashkëpunim me MAShTI-n, si dhe me partnerët lokal si: Instituti Pedagogjik i Kosovës, Asociacioni  Komunave të Kosovës, Fakultet e Edukimit në Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Prizren, si dhe 20 komuna (DKA).

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.