MASHT

KRYEMINISTRI KURTI DHE MINISTRJA NAGAVCI DISKUTUAN PËR PËRGATITJET PËR VITIN E RI SHKOLLOR

17 Gusht, 2021

Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor ka qenë temë qëndrore e diskutimit në një takim që ka zhvilluar të martën, kryeministri Albin Kurti me ministren e e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja Nagavci e ka njoftuar kryeministrin Kurti për punët që janë bërë dhe po bëhen në kuadër të përgatitjeve për një fillim sa më të mbarë të vitit shkollor 2021-2022.

Në këtë takim u theksua domosdoshmëria e vaksinimit të mësimdhënësve dhe respektimi i masave anti-COVID-19 për të mundësuar fillimin e vitit të ri shkollor me prani fizike.

U tha po ashtu se arsimi është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës dhe se rritja e cilësisë në arsim është synim kryesor për Qeverinë.

Ofrimi i mundësive të barabarta dhe gjithëpërfshirja në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, vazhdon të ketë vëmendje të veçantë. Në këtë drejtim, MAShTI këtë vit ka ndarë 200.000 euro grante për financimin e qendrave burimore.

Kryeministri i Republikës Albin Kurti, ritheksoi se Arsimi dhe Aftësimi Profesional në qeverisjen tonë ka trajtim prioritar, pasi mban çelësin e progresit teknologjik dhe industrializimit si dhe shtimit të vendeve të punës.

Prandaj, Qeveria do të angazhohet në optimizimin e kualifikimeve të ofruara nga Arsimi dhe Aftësimi Profesional, bazuar në nevojat lokale të industrisë për të plotësuar hendekun ekzistues të shkathtësive. Një shembull i kësaj domosdoshmërie na shfaqet edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku ka mungesë të inxhinierëve të energjetikës.

Për këtë, është bërë verifikimi i 82 kurrikulave të rishikuara me kërkesat e tregut të punës dhe me shoqatat sektoriale, në mënyrë që në vitin shkollor 2022/2023 të fillohet me zbatimin e kurrikulave të rishikuara.

Po ashtu ka filluar zhvillimi i konceptit dhe përgatitja për zbatim e arsimit dual në sektorë të caktuar me potencial të zhvillimit.

Gjatë këtij viti, MAShTI do të bëjë një studim fizibiliteti që do të shërbejë si bazë për ristrukturimin e institucioneve përgjegjëse të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

Për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë, MASHTI po i financon projektet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim që do të ndihmojnë kthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Avancimi i politikave dhe kornizës ligjore në fushën e arsimit, është një nga aspektet në të cilat është fokusuar Qeveria, prandaj aktualisht është duke u punuar në hartimin e Projektligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, atë për Arsimin e Lartë, për edukimin e hershëm, për tekste shkollore si dhe një sërë udhëzimesh administrative.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.