Komunikatë

25 Shkurt 2020

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, në një konferencë të përbashkët për media, në mjediset e MAShTI-t, kanë bërë të ditur se Ministria dhe Komuna e Kamenicës kanë harmonizuar qëndrimet lidhur me procesin e riorganizimit të institucioneve arsimore të filluar kohë më parë nga Komuna e Kamenicës.

Me këtë rast, të dy institucionet kanë nënshkruar një Memorandum përmes të cilit përcaktohet forma e bashkëpunimit ndërmjet MAShTI-t dhe Komunës së Kamenicës lidhur me këtë proces, me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar si rezultat i reformës dhe në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit.

Ky memorandum, ndër të tjera, përcakton se procesi i reformës së filluar në shtator 2019 do të vazhdojë të implementohet, ndërkohë që zbatimi i vendimit të Kryetarit të Kamenicës, i nxjerrë në muajin janar 2020 do të shtyhet.
Ministrja Bajrami pasi që falënderoi kryetarin Kastrati për bashkëpunim, bëri të ditur se MAShTI në bashkëpunim me donatorët do të nisë një studim të përgjithshëm dhe të detajuar lidhur me riorganizimin e shkollave (me numër të pamjaftueshëm të nxënësve) në nivel vendi. Ky studim do të gjenerojë të dhëna të besueshme, të cilat do të shërbejnë për vendimmarrje të drejtë e të bazuar në të dhëna të sakta për të gjithë vendin.
Poashtu, znj. Bajrami bëri të ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të investojë në rindërtimin e shkollës “Fan S. Noli” si dhe në avancimin e infrastrukturës shkollore, në hapjen e dy çerdheve duke ridestinuar objektet ekzistuese shkollore, si dhe në investimin në laboratore, kabinete, dollape për nxënës, etj.
Komuna e Kamenicës, përmes Drejtorisë Komunale të Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë do të përgatisë planin për kompensimin e orëve të humbura, i cili plan do të zbatohet menjëherë.
 
Ministrja Bajrami dhe kryetari Kastrati u bënë thirrje të gjithë nxënësve të Komunës së Kamenicës që të vijojnë mësimin duke u zotuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin institucional si dhe bashkëpunimin me komunitetin në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit në Komunën e Kamenicës.