MASHT

KA PËRFUNDUAR PJESA E PARË E PROGRAMIT TË SHKËMBIMIT TË NXËNËSVE MES KOSOVËS DHE SHQIPËRISË “SI N’SHPIN TËNDE”

27 Prill, 2019

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), organizuan ceremoninë e përshëndetjes mes nxënësve të shkëmbyer gjatë këtyre dy javëve mes Kosovës dhe Shqipërisë, si pjesë e Programit të shkëmbimit të nxënësve mes dy vendeve.

Programi, i cili është quajtur “Si n’shpin tënde”, që ka për qëllim integrimin e nxënësve në sistemin arsimor të vendit pritës dhe krijimin e thellimin e miqësive, do të vazhdojë me grupe të tjera të nxënësve, ndërsa po shikohen mundësitë për qëndrim më të gjatë të nxënësve, ndoshta edhe deri në një gjysëmvjetor.

Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, me këtë rast ka thënë se, iniciativa e shkëmbimit të nxënësve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, tashmë e realizuar me sukses është inkurajuse për të vazhduar edhe në vitet tjera, pasi të rinjtë dhe vet ne kemi nevojë të kemi më shumë lidhje vëllazërore.

“Ka ardhur koha që nxënësit tanë nga Mitrovica, Saranda, Kamenica, Shkodra, nga Prishtina e Tirana të njihen, të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë përvojat, idetë, synimet dhe qëllimet e tyre”, ka thënë zv/ministri Sahiti.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini tha se, qëllimi i programit është që ta njohim sa më mirë dhe ta duam sa më shumë njëri-tjetrin.

“Paragjykimet nuk do të ndodhin nëse ne e njohim më mirë njëri-tjeterin dhe thellohemi në mënyrën e jetesës së njëri-tjetrit. Jemi dy vende shqipfolëse, kështu që e kemi të domosdoshëm bashkëpunimin.”, u shpreh Ministrja.

Ndërsa, nxënësit që ishin pjesë e këtij programi theksuan se, janë të kënaqur që iu është dhënë kjo mundësi për të përjetuar këtë përvojë të mirë dhe për të krijuar miqësi mes vete.

Për këtë, nxënësit kanë falënderuar ministritë e Arsimit të të dyja vendeve që e filluan këtë program. Edhe familjet pritëse dhe drejtorët e shkollave dhe drejtorive komunale të arsimit të qyteteve të ndryshme theksuan rëndësinë e këtij programi dhe u shprehën të lumtur për mundësinë që iu është dhënë fëmijëve.

Gjatë qëndrimit të Kosovë, nxënësit nga Shqipëria bashkë me moshatarët e tyre, përveç mësimit kanë vizituar edhe vende kulturore dhe historike.

Programi për shkëmbimin e nxënësve ka filluar me marrëveshjen paraprake mes ministrave të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, Shyqiri Bytyqi dhe Besa Shahini dhe do të vazhdojë me grupe të tjera të nxënësve.

Në fund, të gjithë nxënësve pjesëmarrës në Program u janë ndarë Certifikata pjesëmarrje dhe Mirënjohje.

Last modified: 9 Qershor, 2022

Comments are closed.