MASHT

Intervistë me ministrin e Arsimit, Ramë Buja dhënë për gazetën “Tribuna Shqiptare”

31 Gusht, 2011

Historinë s’e ndërroj me asnjë çmim

Çështja e “ndryshimit të historisë” është keqkuptuar dhe është fryrë pak, – ka thënë ministri i Arsimit Ramë Buja. Në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, ai ka thënë se kjo iniciativë ka filluar qysh në vitin 2004, mirëpo ka shtuar se në konferencën e përbashkët me ministrin turk, Omer Dinçer është thënë pak më fuqishëm gjë që ka bërë të komentohet edhe sot e kësaj dite

Tribuna Shqiptare: Çfarë komisioni është përcaktuar për “pastrimin e historisë” dhe ku kanë arrit punët në këtë drejtim?
Ministri Buja: Dua ta korrigjoj këtë gjë për pastrimin e historisë, sepse nuk është thënë e as nuk e kemi përdor si term që ta pastrojmë historinë, sepse historia është e pastër si loti edhe nuk kemi çka të pastrojmë nga historia jonë. E tërë përpjekja jonë ka qenë që të ruajmë tërësinë tonë territoriale dhe etninë tonë, ne kemi bërë luftëra çlirimtare dhe nuk kemi bërë luftëra pushtuese dhe kjo na bënë që të jemi si popull fatlum, por në fakt i robëruar dhe i goditur shumë nga historia dhe realiteti historik dhe as ne e as askush nuk mund të bëjmë kërkesën për ta pastruar historinë. Ajo është ajo çfarë është për të cilën jemi shumë krenarë. Ndërsa, të thënat e fundit që u iniciuan kohëve të fundit nga ata që janë kompetentë dhe nuk janë kompetentë për të folur për historinë, u bë shumë zhurmë nga vizita e ministrit homolog turk që ishte në Kosovë e që të paktën nuk daton nga kjo datë nëse mund të  themi, sepse një komision ne e kemi formuar që më herët, në muajin prill të këtij viti, jo për të pastruar historinë, por për të parë ndonjë term eventual që mund të jetë fyes për popullin turk, nëse ka gjithsesi dhe këtë e kemi bërë herët, pa ardhur ministri turk, me qëllimin e dikurshëm duke e përmbushur edhe një kërkesë të Komisionit Evropian që gjuha e urrejtjes, nëse është ajo gjuha e urrejtjes diku në tekste të historisë tek popujt e Ballkanit, ta fshijmë. Dhe në këtë kuadër e kemi bërë këtë gjë dhe atë ditë u tha në konferencë për media pak më me ton kjo gjë dhe kjo çështje u komentua dhe po vazhdon të komentohet edhe nga një formë që sinqerisht po shpreh keqardhje, duke mos i njohur gjërat më elementare të mundshme edhe të veprimit politik edhe historik edhe pragmatike dhe esencial dhe kjo shqetëson. Nuk dua të zë emra në gojë, por dikush që shkruan për të parin e Ministrisë së Arsimit dhe të parin e Qeverisë se: ‘s’ka mundësi të jetë i plotfuqishëm ai ministër që të ndërroj historinë’, sikur bëra shprehje të mirë që e përdora në Kuvend dhe u thash deputetëve se s’ka ministër që ka plotfuqi që të mbrojë historinë e çfarëdo populli e aq më pak unë nuk jam i atij qëllimi që ta bëj një gjë të tillë, sepse konsideroj që kam dhënë një kontribut modest për ta krijuar këtë histori të re të Kosovës që nuk e ndërroj me asnjë gjë, me asnjë çmim dhe me asnjë pasuri bote. Kështu që, megjithatë, njerëzit janë të lirë të shprehen edhe kështu dhe të thonë atë që mendojnë se është më e mira ta thonë, ndoshta për ta nxjerr veten në pah ndoshta për arsye të cilat ata i dinë.

Tribuna Shqiptare: Çka në të vërtetë do të eliminohet nga historia?
Ministri Buja: Unë nuk mund të merrem me saktësi tash për arsye se është formuar një komision i njerëzve që janë më njohës ose njerëzit më të mirë të fushave të caktuara, por edhe të historisë së periudhave të ndryshme, ka edhe historianë, edhe albanologë, edhe etnografë, edhe gjeografë etj. etj. gjë që do të merren me këtë çështje dhe nëse ka do e bëjmë, nëse s’ka do të nxjerrim një raport brenda një kohe optimale besoj, por kjo s’bëhet brenda këtij viti, që ka apo s’ka, si është gjendja dhe pastaj ne mund të flasim përsëri në një aspekt tjetër.

Tribuna Shqiptare: Historianë të ndryshëm dhe hartues të Historisë e kanë kundërshtuar fuqishëm kërkesën e ministrit Dinçer. Si e vlerësoni ju kërkesën e tij?
Ministri Buja: Unë mund të ju them me ekzaktësi se çfarë ka kërkuar në bisedën time brenda zyrës sime ministri turk dhe çfarë është thënë po kështu në konferencë për media. Se ai nuk ka kërkuar të ndërrohet historia, e para gjë. Sepse është e pamundur të bëhet ajo gjë dhe dihet fare mirë se cila ishte Perandoria Turke, Perandoria Otomane pushtuese dhe cili është shteti i ri turk pas ’24-shit dhe ai s’ka kërkuar të ndërrohet historia. Hajt të shohim diçka që mund të na pengojë ose mund të na cenojë këtë raport që tani e kemi krijuar si dy shtete ne, këtë e ka kërkuar dhe në konferencë për media, e tha atë që nuk dua ta komentoj, e tha si e tha, por këto gjëra më duket se u frynë pa arsye.

Tribuna Shqiptare: Pse deri më tani nuk janë vërejtur këto fyerje për popullin turk në librat e Historisë sonë?
Ministri Buja: Përsëri po e them që kjo gjë do të vërtetohet në kishte apo s’kishte. Po e përsëris, ai komision do të konstatojë nëse ka vërtet shprehje apo s’ka, edhe pse ndonjëherë edhe shkencëtarët që e kanë për detyrë që me saktësi të madhe të flasin me shifra dhe me argumente shkencore, njerëz janë edhe ata dhe mund të rrëshqasin edhe në patetizëm edhe patriotizëm deklarativ. Mund të ketë raste të tilla. Mua më ka ndodh që gjatë shkrimit të librave të mi ta zë vetveten në flagrancë dhe ta korrigjoj. Prandaj, kjo gjë nuk duhet të shihet si e jashtëzakonshme, por të shihet normalisht dhe nëse ka të korrigjojmë, nëse s’ka të mos korrigjojmë, ndjehemi mirë që s’paska pas.

Tribuna Shqiptare: Nga ka qenë kjo iniciativë për rishikimin e librave të Historisë?
Ministri Buja: Në fakt, kjo iniciativë për t`i rishikuar daton që nga 2004-a nga një OJQ këtu, pastaj nga një shoqatë nëse s’gabohem gjermane për të rishikuar tekstet e historisë së tërë Ballkanit që të shihet që të mos ketë të instaluar një gjuhë urrejtjeje etj. etj. dhe pastaj është ardhur kjo gjë tek ne. Ne kemi biseduar këtu me ambasadoren turke në fillim të mandatit tim dhe kemi rënë dakord që ta formojmë një komision që të shohim nëse eventualisht ka gjëra të tilla dhe s’është pa asgjë me herezi, me histeri të veçantë që duhet të bëhet dhe s’bën tjetër. Ajo që është thënë pak në mënyrën më të veçuar është se është bërë një gabim në hartën e shtetit aktual turk nga librat tonë se nuk është futur fare pjesa kurde që sot është nën Turqinë kushtetuese dhe tani është thënë të shihet, sepse kjo është gabim etj. dhe këtu është nisë biseda në një far forme për të vazhduar më tutje që komisionet po e bëjnë punën e vet dhe unë uroj që të mos kenë çka korrigjojnë.

Tribuna Shqiptare: Deri ku kanë arritur përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor?
Ramë Buja: Konsideroj që këto përgatitje kanë shkuar mirë, jo bash ashtu siç kemi dëshiruar, sepse kemi menduar që disa shkolla që janë në prag të përfundimit të punimit të tyre do të përfundojnë këtë punë, por akoma s’kanë arritur. Disa janë përfunduar, por mendoj që në të përgjithshmen ky vit shkollor do të përfundojë mirë duke u nisur nga librat që tashmë është bërë praktikë e dhurimit të tyre që janë realizuar dhe është një risi sivjet që shtëpitë botuese këtë vit nuk i qojnë librat vetëm deri te komuna apo Drejtoria Komunale, por i shpërndajnë deri te shkolla dhe kjo është bërë mirë, gati për të përfunduar si proces i shpërndarjes. Ana teknike e përgatitjes së shkollave po kështu është në nivel, çështja e inventarit jo bash më së miri, por e kemi përafruar këtë gjë dhe çështjet e kuadrit janë mirë. Do me thënë, krahasuar me vitet paraprake është avancuar edhe çështja e programeve edhe çështjet tjera. Besoj që 1 shtatori do të jetë një ditë e nismës së mbarë.

MST. Tri shkolla të reja për fillimin

Tribuna shqiptare: Sa shkolla i kemi të reja për fillimin e vitit të ri shkollor?
Ramë Buja: Po, është dashur të jenë më shumë se 10 shkolla të reja të hapura, por në fakt në ditën e 1 shtatorit ne do t`i kemi 3 të gatshme pastaj gjatë shtatorit, mbase në pjesën e parë të shtatorit do të jenë edhe pjesa tjetër e shkollave të hapura dhe besoj që do të përmbushen ato nevojat e domosdosë që i kemi për të realizuar vitin shkollor ashtu siç e mendojmë.

Tribuna Shqiptare: Sa nxënës do t’i kenë librat e rinj për këtë vit shkollor që do t’u jepen falas nga Ministria e Arsimit?
Ramë Buja: Këto shifra mund t’i japim më 31 saktësisht duke mos dashur tash të spekulojmë. Ne kemi bërë përgatitjet që asnjë nxënës të mos të na mbetet pa tekste shkollore nga klasa e 1 deri në të 9 edhe pse vështirësitë financiare këtë vit kanë qenë të mëdha sesa që  ishin në vitet e kaluara, por megjithatë ne jemi përpjekë që këto lëvizje t’i bëjmë në mënyrën më racionale të mundshme që nxënësit tanë të mos na mbeten pa libra.

Tribuna Shqiptare: Sa jeni të kënaqur me Provimin e Maturës Shtetërore këtë vit?
Ministri Buja: Po ju them shkurt që të jem i kënaqur do të ishte realizimi mbi 90%, por të jem i kënaqur me arritje të kalueshmërisë rreth 42%, nuk mund të krijojë ndjesinë e tillë. Por, nëse e krahasojmë përsëri dhe ky krahasim nuk është më i miri për të sqaruar gjërat, nuk jemi larg, bile hiç larg, diku edhe para Rajonit, prandaj kjo nuk më kënaq, nuk e arsyeton mossuksesin tonë, sepse kemi dëshiruar që të kemi sukses më shumë, por diçka që mund ta ketë ulur pak këtë përqindje, që unë kam kërkuar me ngulm tek Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe të gjithë punonjësit tjerë në shkolla që të mos e mashtrojmë veten. Vlerësimi i nxënësve tek testi i maturës të jetë real. Janë ato njohuritë që janë, të mos kamuflojmë në mënyrë që ta dimë se ku jemi.

Tribuna Shqiptare: Sa prisni nga afati i dytë i maturës shtetërore që mbahet të shtunën (sot)?
Ministri Buja: Po, jemi njerëz dhe ka mundësi që ndonjë nxënës nuk e ka pasur atë ditë ditën më të mirë, ka pas ngarkesa të veçanta dhe ku me ditë çka dhe mund të jetë ky afat që t’ia krijoj mundësinë të jetë më i mirë dhe unë përsëri pres rezultat besoj solid dhe dua të besoj që ta kalojë këtë përqindjen e parë, sepse edhe përgatitjet janë bërë më shumë siç është edhe pilotimi me hapësira të hapura etj.

MST. Lëndët fetare me Ligj?

Tribuna Shqiptare: A do të futet ndonjë lëndë apo disa lëndë fetare në arsimin parauniversitar në Kosovë siç po kërkohet?
Ministri Buja: Përsëri unë jam ithtar i respektimit të Ligjit. Nëse Ligji që po kështu është në procedurë parlamentare, Ligji për Arsimin Parauniversitar do të hap portat për një gjë të tillë, unë jam i detyruar ta zbatoj. Por unë tani nuk kam arsye të deklarohem se jam apo s’jam dhe për çfarë jam, por unë do jem respektues i Ligjit dhe atë çfarë më ofron Ligji që e nxjerr institucioni më i lartë shtetëror, Parlamenti i Kosovës, unë do të jem respektues i tij.

Tribuna Shqiptare: A ka mundësi të miratohet ndonjë amendament i këtij Ligji, ndonjë nen të ndryshohet dhe të futet lënda fetare?
Ramë Buja: Po tash është bash procedura e amendamentimit dhe dihet se si shkon leximi i dytë, zakonisht votohen ose s’votohen amendamentet ose Ligji në tërësi dhe nuk ka shumë diskutime.

Tribuna Shqiptare: A ka ndonjë parashikim se si do të ndodh kjo. Cilat do të jenë lëndët, cilat do të jenë fetë apo si do të ndodh mësimi në këtë aspekt?
Ministri Buja: Realisht unë nuk e di me saktësi, sepse janë bërë disa amendamente nga njerëz të ndryshëm, janë bërë edhe nga Partia e Drejtësisë që është pjesë e koalicionit dhe saktësisht nuk mund ta di se cilat janë, por megjithatë janë propozuar amandamentet, se sa do të kalojnë në komisionin parlamentarë gjegjës nuk e di, por ai e ka edhe fazën tjetër të votimit në Parlament dhe kjo është thjesht çështje e votës dhe e votimit që e kanë parlamentarët tanë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.