MASHT

Intervista e Ministrit Buja

6 Janar, 2012

Flet Ramë Buja

Tri të dashurat e Bujës: puna, libri dhe Barcelona

Ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2011 konsideroj se janë: promovimi i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, abetarja e përbashkët me Shqipërinë dhe miratimi i Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Arsimin e Lartë si dhe Dokumentin e Kurrikulës dhe Strategjinë 2011-2016

Lirije KLAIQI

Prishtinë, dhjetor – Ditën e fillon në orën 7 e 45 minuta, me kafen e mëngjesit, të cilën e pi bashkë me bashkëshorten. Pastaj bëhet gati dhe niset për në punë në Ministrinë e Arsimit. Gjatë vitit 2011 thotë se ka pasur shumë punë. Si sukses e veçon miratimin e ligjeve të të gjitha niveleve të arsimit, themelimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë dhe marrëveshjen për abetaren e përbashkët shqiptare. Edhe pse konsideron se janë kryer shumë punë të rëndësishme për sistemin arsimor, ende nuk është i kënaqur me cilësinë e mësimit dhe studimeve, gjë që e ka shpallur edhe si prioritet të mandatit të vet. Tregon se nuk e lë anash kurrë kujdesin për trupin, pasi merret me fitnes. Ka thënë se i pëlqen të hajë shumë pemë e perime, sidomos mollë e domate. Nuk i kushton rëndësi veshjes firmato, e rëndësishme për të është të ndjehet komod në atë që e mban veshur. Ka thënë se është i dhënë shumë pas librave të politikës, por pa anashkaluar kurrë romanin. Fundjavat ua kushton familjes së vet të madhe dhe librave. Thotë se nuk ka ndonjë autor të preferuar, por është i dhënë pas librit të mirë. Shikon futboll dhe ngrihet në këmbë kur dështon ndonjë aksion i ekipit të tij të preferuar, Barcelonës. Nuk ka ndonjë projekt që i ka ngecur gjatë vitit që lamë pas, por i ka mbetur hatri nga drejtuesit e njësive akademike të Universitetit të Prishtinës, të cilët s’i fillon studimet e doktoratës në këtë vit. Tregon se e ka mërzi të bëjë të njëjtën porosi dy herë, qoftë me familjen, miqtë apo bashkëpunëtorët. Flet ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

“Epoka e re”: Z. Buja, cilat kanë qenë tri të arriturat kryesore në arsim për vitin 2011?
Buja: Po e nis nga ajo që është më e rëndësishmja: është promovuar Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë. Ngjarje tjetër që duhet të parë me vështrim të veçantë është çështja e abetares së përbashkët me Shqipërinë. Gjithsesi diçka që mbetet për t’u thënë është çështja e realizimit të shumësisë ligjore që i duhet Ministrisë së Arsimit. Ne arritëm ta realizojmë Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ligjin për Arsimin e Lartë, Dokumentin e Kurrikulës dhe Strategjinë 2011-2016. Por, mes këtyre ka pasur shumë aktivitete të ndryshme, që kur i shohim nga brenda na duket punë serioze. Konsideroj se kemi bërë gjëra që është dashur të bëjmë për kohën.

“Epoka e re”: Mandatin tuaj e keni deklaruar si mandat të cilësisë. Cila është cilësia e arsimit në Kosovë dhe sa jeni i kënaqur me atë që është arritur?
Buja: Të them se jam i kënaqur me atë që është rritur do të thosha një të pavërtetë. Por, përpjekjet nuk po i ndalim. Në mandatin e kaluar ka filluar një vlerësim, licencim i mësimdhënësve. Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve po e bën punën e vet. Krejt këto dokumente që i përmenda më sipër shërbejnë për ta ngritur cilësinë. Është edhe angazhimi në ngritjen e aftësisë së mësimdhënësve në TIK, sepse 9 600 kanë marrë këtë certifikatë, 2 500 të tjerë janë trajnuar nga KE. Kjo flet për rritje në cilësinë e dëshiruar, por ende jemi larg asaj që dëshirojmë. E kam thënë sa herë, se kur krahasohemi me rajonin sikur jemi mirë, por synimet tona janë më të mëdha: të jemi politikisht dhe ekonomikisht në BE. Duhen ende më shumë përpjekje e më shumë punë për ta arritur cilësinë e dëshiruar në arsim.

“Epoka e re”: Miratimi i ligjeve për funksionimin e arsimit, sa do të ndihmojnë në rritjen e cilësisë dhe vënien e rregullit në të gjitha institucionet arsimore?
Buja: Besoj se këto ligje do të ndikojnë pozitivisht. Tani jemi në procedurën e bërjes të udhëzimeve administrative konform këtyre ligjeve që do t’i shpjegojnë edhe më hollësisht këto gjëra dhe veprime që duhet të bëjë MASHT-i dhe struktura të tjera që janë vartëse të kësaj ministrie. Kjo do t’i specifikojë gjërat që janë pak të mjegulluara për të vepruar. Po ashtu, po përpiqemi ta rregullojmë me ligj, që studentëve që kanë mbaruar studimet pesëvjeçare në fakultetet teknike t’u njihet masteri.

“Epoka e re”: Ky vit mbaroi. Cilat janë planet për vitin 2012?
Buja: Përveçse kemi paraparë strategjinë 2011-2016, ne kemi planin veprues për secilin vit. Plani veprues për 2012 është në hartim e sipër, që të jetë konform planit strategjik të arsimit dhe po kështu kemi ndihmën e shumë donatorëve që ky plan të realizohet. Ne kemi bërë një “TASK FORCE”, të mos i lëmë asnjë plan rastësisë.

“Epoka e re”: Mund të flisni pak për jetën tuaj private?
Buja: Jam i martuar, kam një nuse dhe tre fëmijë, dy djem i kam studentë dhe një vajzë në klasën e dhjetë. Nusja, e cila është juriste, punon këshilltare juridike në FSK. Kam vetëm gjashtë vëllezër dhe tri motra. Të gjithë jemi gjallë. Kjo është elementarja. Kam hyrë në vitin e 54-t të jetës, por po ndihem shumë më i ri. Jam fanatik i një rregulli në jetën time, bëj fitnes tri herë në javë dhe nuk jam abuzues me shëndetin tim, nuk përdor alkool, duhanin nuk e konsumoj, kafen po ashtu e pi rrallë. Kafe pi kur dua të rri pa gjumë, kur punoj në sferën shkencore.

“Epoka e re”: Si është një ditë e juaja? 
Buja: Një ditë pune para se të vija ministër ishte më ndryshe. Dendësia e angazhimeve ditore në ministri të bën të jesh fare pak produktiv në sferën tjetër, si p.sh në shkencë, të cilën nuk mund ta lë. Zgjohem 15 minuta në shtatë, përgatitem, pi një kafe me nusen dhe në 8 e 30 jam në zyrë. Pastaj dendësia e takimeve nuk përfundon në orën 16:00. Ndonjëherë shkon edhe gjerë në orën 23:00. Këtë punë e kam me shumë pasion dhe e bëj me shumë dashuri. Vetëm kur shtrihem e vërej se sa jam lodhur.

“Epoka e re”: Si e kaloni një ditë pushimi?
Buja: Një ditë pushimi e kaloj kryesisht duke u marrë me librin. Është një ves i vjetër, sepse më duket se gjithmonë po i mbetem borxh. Dobësi e kam që për shkak të angazhimeve nuk po mund të shkruaj për kujtimet nga burgu, jo për ndonjë mrekulli, por sepse mbamendja edhe ikën. E kam bërë konceptin. Kam një projekt tjetër në duar, një libër për politikat krahasuese rajonale, një libër i sfondit të politikave ekonomike, është mega projekt, por nuk premtoj datë. Një ditë e fundjavës nëse mund të largohem nga punët ditore të ministrisë është marrja me librin. Në fundjavë po ashtu kam dëshirë të jem me komplet familjen.

“Epoka e re”: Çfarë lexoni më shumë?
Buja: Më tërheq shumë shkenca e politikës, por nuk e lë dot romanin. Unë kam studiuar letërsi dhe kjo gjithmonë më provokon.

“Epoka e re”: Autori i preferuar?
Buja: Preferoj librin e mirë. Nuk kam ndonjë autor të veçantë. Kështu them edhe për muzikën. Unë dua muzikën e mirë. Më pëlqen roku i mirë, folklori i mirë, por edhe këtu nuk kam ndonjë këngëtar të preferuar.

“Epoka e re”: Kush kujdeset për veshjen?
Buja: Ajo që kujdeset për mua është Fatimja, nusja ime. Nuk kam ndonjë tjetër që kujdeset për mua (qeshet). E kam një defekt, se ajo del para meje për të shkuar në zyrë dhe m’i lë teshat gati. Nuk kam markë të preferuar, nuk e kam as hallin e çmimit. Unë di të blej rroba të lira, nuk më intereson çmimi, por sa rehat ndihem kur i vesh.

“Epoka e re”: Çfarë ushqimi preferoni?
Buja: Jam konsumues i pakontrolluar i pemëve dhe perimeve. Mollën e konsumoj kohë pas kohe. Prej perimeve, domaten. Nuk jam hiç dashamirës i mishit, e konsumoj, por jo shumë.

“Epoka e re”: Sa e përcillni futbollin? 
Buja: Shikoj futboll, por fare nuk jam futbollist. Ekipi që shikoj duke luajtur futboll me pasion dhe që nganjëherë ngrihem në këmbë është Barcelona. Ma kanë imponuar djemtë. Ndonjëherë edhe bërtas kur ndonjë aksion nuk e konkretizojnë me sukses.

“Epoka e re”: Ministër, mund ta veçoni çastin më të mirë të vitit që po lëmë pas?
Buja: Çasti më i mirë mund të them se ka qenë promovimi i librit. Kur flisnin për librin u bëra i tëri djersë. Ndërsa çasti më i mirë në ministri kur jemi marrë për abetaren e përbashkët. Ka edhe çaste të tjera që më kanë bërë të ndihem mirë, por edhe të nevrikosur, e që nuk i manifestoj shumë. Nevrikosem shumë kur jam i detyruar t’i them dikujt dy herë për të një gjë. Edhe nuses sime nuk ia përsëris vërejtjen dy herë.

“Epoka e re”: Çasti më i keq i vitit?
Buja: Të them sinqerisht diçka që më ka bërë të ndjehem jo shumë mirë, ka qenë takimi i para disa ditësh me SBASHK-un.

“Epoka e re”: Projekti që ju ka mbetur peng këtë vit?
Buja: Në fakt nuk kam ndonjë projekt të mbetur peng. Çfarë kam synuar e kam realizuar brenda këtij viti.

“Epoka e re”: Shtypin sa e përcillni?
Buja: Gazetat i lexoj gjithmonë. Artikujt që janë më interesant i lexoj në mëngjes, e në disa raste edhe pas orarit të punës. I përgëzoj të gjithë gazetarët për punën që bëjnë.

Box

“Kurbani”, libri i fundit që e ka lexuar Buja

“Epoka e re”: Libri i fundit që keni lexuar?
Buja: “Kurbani” i Edi Ramës. Më ka provokuar në fakt se si ai i qaset problematikës, se si e shpjegon ai edhe artistikisht edhe realisht. Mos më pyet çfarë përshtypje më ka lënë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.