Jusuf Thaçi

13 Shkurt 2020

Zëvendësministër
Tel: 038 / 200 200 89
jusuf.thaci@rks-gov.net

 

Jusuf Thaçi

 

Zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

 

 

Jusuf Thaçi është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) më 13 shkurt 2020.

 

Për më shumë se 12 vite është marrë kryesisht me çështjet e arsimit në Kosovë. Fillimisht ka punuar si monitorues dhe analist i çështjeve të arsimit në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Pastaj ka punuar në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC) si koordinator i komponentit të arsimit të një projekti të BE-së për edukimin e komuniteteve RAE (EU-SIMRAES). Gjatë periudhës 2011-2020 ka qenë udhëheqës i Projektit ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë. Në ndërkohë për gjashtë muaj ka shërbyer si drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Komunën e Prishtinës. Në cilësinë e ekspertit vendor ka qenë anëtar i disa këshillave dhe komisioneve shtetërore të fushës së arsimit, si dhe është angazhuar për hartimin e shumë dokumenteve legjislative e strategjike të fushës së arsimit, si: draft-ligjeve, draft-udhëzimeve administrative, planeve strategjike të arsimit, lokale e qendrore, etj.. Veç këtyre, ka qenë i angazhuar edhe si trajner për trajnimin e mësimdhënësve, ndërsa ka përvojë edhe si mësimdhënës në shkollat publike.

 

Gjatë karrierës së tij është marrë edhe me hulumtime e publikime të ndryshme në fushën e arsimit, të psikologjisë së ekselencës dhe të opinionit publik. Ka marrë pjesë në takime, tryeza, konferenca e vizita të ndryshme studimore në Nju Jork, Boston, Londër, Bruksel, Stamboll, Tiranë e Prishtinë, kryesisht në lidhje me çështjet e arsimit, psikologjisë, shoqërisë civile dhe zhvillimet politike në Kosovë. Gjatë një periudhe ka qenë i angazhuar publikisht, me shkrime e prononcime për media dhe me pjesëmarrje në debate televizive, duke analizuar e komentuar zhvillimet e përgjithshme në vend, përfshirë zhvillimet në fushën e arsimit, zhvillimet shoqërore dhe ato politike.

 

Jusuf Thaçi ka përfunduar studimet në psikologji në Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës (2003-2006). Ka lindur më 05 maj 1982 në Llapushnik të Drenasit, ndërsa aktualisht jeton në Prishtinë. Është i martuar, baba i dy vajzave.