MASHT

FRANCA OFRON MBËSHTETJE PËR ARSIMIN DHE KULTURËN NË KOSOVË

11 Maj, 2021

Franca do të vazhdojë ta mbështesë arsimin dhe kulturën në Kosovë. Për këtë është zotuar ambasadorja e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci. Në këtë takim, Ambasadorja ishte e shoqëruar nga këshilltari për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore, Donato Giuliani.

Temë e diskutimit ishte gjendja në arsim, si dhe mundësia e vazhdimit të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë në Francë.

Ambasadorja e uroi ministren Nagavci për emërimin në krye të MAShTI, teksa shprehu gatishmërinë për ta mbështetur në prioritetet dhe planet për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ajo ngriti çështjen e promovimit të gjuhës frënge tek gjeneratat e reja.

Në këtë takim është diskutuar, po ashtu, mundësia e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional, sidomos në fushën e turizmit dhe hotelerisë. Gjithashtu, u përmend mundësia e bashkëpunimit dhe nënshkrimit të një marrëveshje në fushën e kulturës dhe arsimit.

Ministrja Nagavci e ka falënderuar ambasadoren Butel për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Franca për Kosovën në faza të ndryshme. Ministrja theksoi se mbështetja në arsim është e një rëndësie të veçantë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci e ka njoftuar Ambasadoren në lidhje me planet për arsim dhe synimin për ngritjen e cilësisë në këtë sektor. Po ashtu, e informoi me sfidat me të cilat po ballafaqohet arsimi në të gjitha nivelet.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.