MASHT

Franca i dhuron shkollës “Elena Gjika” një donacion të materialit pedagogjik

31 Janar, 2011

Ambasada e Francës në Kosovë i ka dhuruar sot shkollës fillore të kryeqytetit “Elena Gjika” një donacion të rëndësishëm të materialit pedagogjik: një tabelë numerike dhe 240 libra në gjuhën frënge. Për të shënuar këtë ngjarje, në këtë shkollë ka qëndruar edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili së bashku me ambasadorin francez Jean-François Fitou kanë takuar udhëheqësit e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit.

Ambasadori Fitou me këtë rast ka shprehur përkushtimin e Francës që të bëj edhe më shumë për arsimin në Kosovë, sidomos në mësimin dhe përhapjen e gjuhës frënge te të rinjtë. “Me angazhimin e mësimdhënësve dhe stafin e gjuhës frënge në Kosovë do të kemi një standard të mësimit evropian dhe një nivel shumë të lartë të arsimimit”, është shprehur ai.

Ambasadori francez tha se nuk duhet të mësohet vetëm gjuha frënge, por edhe gjuhë të tjera. “Në këtë mënyrë, dëshirojmë t’ua hapim të rinjve edhe një derë kah Evropa dhe bota. Duhet t’iu japim atyre shansin që kanë edhe fëmijët tanë”, është shprehur ai, ndërsa është shprehur se do të jenë të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në këtë drejtim.

Ministri Hoxhaj, ndërkaq, ka falënderuar ambasadorin Fitou për këtë donacion, ndërsa ka theksuar se Franca është një mik i madh për Kosovën, duke qenë se është shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e vendit tonë dhe “ambasadori është mik i madh i Kosovës dhe arsimit në Kosovë ndërsa prania e tij në këtë shkollë është miqësi e dyfishtë e këtij bashkëpunimi”.

Ministri Hoxhaj tha se edhe vet emri i shkollës, që bartë emrin e iluministes Elena Gjika ka një kuptim domethënës, pasi që ajo në kohën e saj ka shkruar dhe ka folur rrjedhshëm gjuhën frënge.

“Ne tani jemi një shtet i ri, por një shtet me synim evropian, prandaj edhe përhapja e gjuhës frënge është një gjë shumë e rëndësishme për shtetit tonë. Për ne si Qeveri mësimi i gjuhëve të huaja është prioritet, por mësimi i gjuhës frënge që është edhe gjuha më e madhe evropiane do të jetë mundësi e qasjes së të rinjve në punësim, arsimim…në vendet evropiane dhe më gjerë”, tha ministri Hoxhaj dhe theksoi se mësimi i gjuhës frënge duhet të shihet nga qytetarët si diçka madhore, sepse kjo gjuhë për shekuj me radhë ka qenë gjuhë e politikës, ekonomisë dhe kulturës.

Ministri Hoxhaj, theksoi se ka biseduar me ambasadorin francez edhe për nisjen e një projekti për mësimin në gjuhën frënge në disa klasa të veçanta në kryeqytet.

Drejtori i shkollës, Osman Vitia, përveç që falënderoi shtetin francez për donacionin që iu dhuruar shkollës, tha se “Elena Gjika” ka pasur fatin që nga viti 2001 të ketë qendrën franko-gjermane dhe shumë nxënës të kësaj shkolle tashmë i zotërojnë këto dy gjuhë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.