MASHT

Flet për “Epokën e re”, Ministi Ramë Buja

6 Shkurt, 2012

Po përgatitemi për Universitetin e Gjilanit

“Në vitin 2012 planifikojmë t’i themelojmë dy agjenci: njërën për arsimin profesional, tjetrën për vlerësim. Do të jenë dy agjenci shumë të rëndësishme”, ka thënë Buja, i cili ka folur edhe për kritikat e opozitës: “Jam i prirë t’i respektoj komentet, opinionet dhe reagimet e opozitës për faktin se janë misione të saj. Kam përshtypjen se pa opozitë të fortë nuk mund të ketë as pozitë dhe qeverisje të fortë. Mirëpo, ndonjëherë më duket sikur lajthitet puna e fakteve që kanë”, ka deklaruar ministri Buja

Lirije KLAIQI

Prishtinë, 5 shkurt – Ka thënë se edhe Komuna e Gjilanit do të bëhet me universitet. Ka folur për themelimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i cili pritet të jetë funksional më 1 tetor të këtij viti. Beson në realizimin e prioriteteve që ka ministria për vitin 2012. Sfidë të madhe e sheh çështjen e Fakultetit të Edukimit. Ka përsëritur se kolegjet private nuk kanë të drejtë të ofrojnë studime të edukimit. Duket më i relaksuar me faktin se së shpejti shumica e njësive akademike të Universitetit të Prishtinës (UP) do të ofrojnë studime të doktoraturës. Ka premtuar mbështetje të pakursyer për studime të doktoraturës. Edhe pse nuk është shprehur i kënaqur me punën e Universitetit të Prizrenit, megjithatë ka thënë se diçka është vënë në vijë. Për këto çështje dhe për planet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për vitin 2012 flet ministri Ramë Buja.

“Epoka e re”: Ditë më parë i keni shpallur prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit për vitin 2012. Sa besoni në realizimin e tyre? 

Buja: Nisur nga ato punë që i kemi bërë gjatë vitit që e lamë pas, ku kemi pasur vetëm nëntë muaj në dispozicion, besoj shumë se këto prioritete që i kemi shtruar për vitin 2012 do t’i realizojmë. Pa dhënë fjalë të mëdha, besoj se me angazhimin tim dhe të stafit tim do t’i realizojmë. Abetarja e përbashkët do të realizohet. Unë besoj shumë edhe në realizmin e çështjes së infrastrukturës teknike, të cilën e kemi në plan për ta realizuar. I kemi 28 shkolla në të cilat është duke u punuar, por ato nuk mund të kryhen brenda vitit. Do t’i nisim prapë katër shkolla të reja. Me bashkëfinancim do të jenë edhe katër të tjera. Po kështu, do të jetë një shkollë model në Prishtinë, e cila do të ndërtohet në bashkëfinancim me Bankën Botërore. Kjo shkollë do të ketë efekte shumë pozitive në cilësinë e mësimit. Ne realizuam në fund të vitit projektin për themelimin e Universitetit të Pejës dhe tash jemi në procedurë t’ia fillojë punës më 1 tetor të këtij viti. Do të procedojmë edhe projekte të tjera të universiteteve publike, të cilat janë paralajmëruar dhe thënë nga kryeministri. Besoj se do të bëjmë hapa seriozë. Po ashtu, prioritet do ta kemi çështjen e Planit Strategjik të Arsimit (PSAK) 2011-2016. Ka edhe shumë punë, por ajo që nuk na hiqet nga mendja është realizimi i asaj pjese të kurrikulumit të cilin e kemi nënshkruar sivjet dhe e kemi në procedurë pilotimi për dy vjet. Ky është ndryshim i madh, nga kurrikula me përmbajtje në kurrikulën me kompetenca. Ky paraqet një ndryshim cilësor dhe edhe kjo çështje do të realizohet ashtu siç kemi planifikuar.

“Epoka e re”: Z. ministër, ditët e fundit kemi parë shumë kritika nga opozita se kurrikula është thjesht çështje propagande. Si i komenton këto kritika?

Buja: Unë jam i prirë t’i respektoj komentet, opinionet dhe reagimet e opozitës për faktin se janë misione të saj. Kam përshtypjen se pa opozitë të fortë nuk mund të ketë as pozitë dhe qeverisje të fortë, por ndonjëherë më duket sikur lajthitet puna e fakteve që kanë. Sidoqoftë, është qëndrim i tyre. Nëse ka pasur ndonjëherë diçka të konsoliduar në aspektin legal atëherë jemi më të konsoliduar se asnjëherë më parë, e kjo do të avancojë. 

Në PSAK janë të detajuara të gjitha çështjet, të cilat duhet të realizohen. Kritikat për çështjen e kurrikulës mua mu dukën si shmangie nga realiteti dhe një qasje jo shumë me njohuri të poseduara, edhe pse njeriu që fliste është jo pa njohuri për çështjet e arsimit. 

Kurrikulën nuk e kemi bërë për propagandë, por për efekte të realizimit të saj, sepse kjo nuk është më kurrikulë e përmbajtjeve, por e kompetencave dhe do t’i hapë portat për pavarësinë e veprimeve organizative në shkolla, për veprimin financiar, pedagogjik dhe do të jetë diçka që do të hapë mundësi më të mëdha që arsimi ynë të barazohet me arsimin evropian. Këto gjëra mund t’i shohë secili që do t’i shohë. Por, unë i them lexuesit tuaj se pilotimi i saj do të zgjasë dy vjet, mbase edhe më shumë, sepse është e nevojshme, por nuk ka asnjë pengesë për të realizuar.

“Epoka e re”: Gjithashtu, jeni kritikuar për mungesë të programeve të mirëfillta dhe se me këtë buxhet që keni nuk do të arrini t’i realizoni prioritetet që keni përpara.

Buja: Ai që i ka përmend këto gjëra e di shumë mirë që ka programe të mirëfillta. Ndërsa, sa i përket buxhetit, kush mund të jetë i kënaqur? 
Po ju them një fakt ekzakt. P.sh: për të përfunduar 28 shkolla që kemi nisur na duhen edhe 14 milionë euro për t’i realizuar. Por, kur kemi bërë kontratat për këto shkolla e kemi ditur se ky proces i ndërtimit do të zgjasë, e unë kam shumë besim, pa e saktësuar datën, se pjesa e parë e 2013 do të jetë mundësia e realizimit. Nuk jemi të kënaqur me buxhetin, por potencialet tona ekzistuese janë kaq.

“Epoka e re”: E përmendët se ka plane edhe për universitete të tjera publike në vend.

Buja: Jemi në përgatitje për ta themeluar Universitetin e Gjilanit.

“Epoka e re”: Ka shumë kritika për Universitetin e Prizrenit (UPz) si nga studentët dhe nga stafi akademik. Ditët e fundit ka ankesa nga stafi se nuk u janë bërë kontratat, edhe pse semestri i dytë fillon më 15 shkurt. Ekziston ndonjë kontroll prej MASHT-it? 

Buja: Nuk jemi të kënaqur me punën dhe angazhimin që po bëhet në UPz. Nuk do të hyjë në histori për të treguar cilat kanë qenë telashet që prej themelimit, por konsiderojmë se atje është bërë një hapërim serioz dhe shumicën e gjërave i kemi vënë në vijë, pa pretenduar se është mirë. Ato probleme që i thoni ju janë të pranishme dhe mundësia e kontrollit tonë është ajo që shohim nëpërmjet inspektoratit tonë për të parë si është gjendja atje për të bashkëpunuar nëpërmjet bordit. Tash mora vesh se është bërë edhe Senati i Universitetit, i cili mund ta lehtësojë punën. Unë kam pasur vërejtje të shumta në punën që është bërë atje. Besoj se kjo do të lëvizë pozitivisht. Javën e kaluar kam pasur takim me rektorin, të cilin e kam motivuar, duke ai ofruar mbështetjen time sa e lejon ligji për të ndihmuar dhe futur duart atje. Është universitet që e kemi nisur me ndjenjën më të mirë dhe përkushtimin që të bëhet universitet serioz jo vetëm i përmasave tona. Ne po shkojmë drejt asaj që ta realizojmë atë që e kemi thënë, por ende kemi probleme. Për dallim prej UPz-së, tek Universiteti i Pjesës “Haxhi Zeka”, për të mos marrë mësysh, punët po shkojnë shumë mirë. Është tani një bord drejtues për themelim të tij dhe të gjitha aktet shoqëruese. Jam optimist se do të bëhet punë e mirë pa i pasur telashet që i kemi pasur në UPz.

“Epoka e re”: Duket se të ka mbetur hatri nga drejtuesit e njësive akademike të UP-së, të cilët nuk i kanë bërë programet e doktoraturës me kohë. Tashmë pas një viti ato janë miratuar në Senat dhe janë dërguar në Agjenci të Akreditimit. A jeni i kënaqur me këtë dhe a do ta ndihmoni në përshpejtimin e procesit të akreditimit?

Buja: Unë u kam sugjeruar miqësisht dhe kolegjialisht atyre, sepse i kam shumicën kolegë dhe u kam thënë se do të ishte mirë dhe e arsyeshme që secila njësi akademike që ka potencial akademik të përafërt t’i bëjë planet për realizmin e programeve të doktoratës. U kam thënë që për atë mundësi që lejohet ligjërisht mos më kurseni, sepse ndihma ime do të jetë e pakursyer. Është bërë diçka, programet janë dërguar në agjenci. Nëse hapim studime të doktoratës në 13 njësi, është bërë shumëçka nga ajo që është synuar. Unë besoj se mund t’i përplotësoj ato mungesa që kemi, nëse na dalin në staf. Shumë vende më kanë ofruar përkrahje për studime të doktoratës. Do të vijnë profesorë nga lëmenj të ndryshëm që të marrin edhe kandidatë për doktoraturë duke u nisur nga Austria, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Sllovenia dhe më gjerë. Kemi pasur biseda edhe me Irlandën e Finlandën, që nëse kemi nevojë të vijnë profesorë që bëjnë ligjërata cikilike. Po startuam nuk do të difektojmë. Ajo që ne na intereson është ta shtojmë kontrollin e cilësisë së punës që bëhet në këto nivele, pa mohuar kontrollin e cilësisë në nivelet e tjera. Nëse dikush do të jetë doktor në një fushë të caktuar ai do të duhet të jetë me gjithë kredibilitetin, kreditë, afinitetin shkencor. Këtu do të përpiqemi shumë. Jemi në kërkim të një mekanizmi të përbashkët, i cili do të bëjë këtë gjë. U mbetet profesorëve ta realizojnë drejtpërdrejt.

“Epoka e re”: Prioritet mbi prioritet i MASHT-it vazhdon të jetë avancimi i cilësisë. Sa jeni i kënaqur me atë që është duke u bërë?

Buja: Nuk ka baromter i cili e mat cilësinë. Synim kryesor është dhe do të jetë rritja e cilësisë në arsim, jo vetëm në këtë mandat. Unë besoj se asnjë çast nuk po ndalemi për të avancuar këtë gjë. Krejt këto akte që i kemi nxjerrë janë për ta avancuar cilësinë edhe Korniza e Kurrikulës, edhe PSAK, edhe Korniza e Kualifikimeve, të gjitha janë hapa që kanë krijuar kondita për rritje të cilësisë. Sfidë serioze e kemi çështjen e Fakultetit të Edukimit. Aty na kanë çaluar disa programe… unë e kam formuar një komision para disa muajsh, në përbërje të tij janë këshilltarët e mi, nga Rektorati dhe ekspertë ndërkombëtarë. Besoj se kah mbarimi i marsit do të kemi një projekt se si do të jetë i strukturuar Fakulteti i Edukimit.

“Epoka e re”: Nuk është i besueshëm për ju vlerësimi i Agjencisë së Akreditimit?

Buja: Jo, jo… vlerësimi i Agjencisë së Akreditimit është shumë i besueshëm, por ne e kemi motivuar Fakultetin e Edukimit që ato programe që nuk i ka pasur duhet t’i ketë në mënyrë që të mos kemi sfida. Nëse ne arrijmë ta bëjmë një fakultet të fuqishëm me kapacitete intelektuale, morale, shkencore – për të avancuar njerëzit që japin mësim – ne kemi arritur shumë nga ajo çka kemi synuar. Këtu është një përkushtim dhe në fund të marsit do të kemi një material të përmbledhur. Nuk do të më interesoj asnjë individ, sepse këtu ka qasje shumë separate, duke llogaritur interesat shumë meskine, e kjo çështje për mua do të jetë e kapërcyeshme. Unë do të interesohem se si ta bëjmë një Fakultet të Edukimit me cilësi të nivelit që dëshirojmë, që kuadrot tona të jenë ashtu dhe aty ku dëshirojmë ne.

“Epoka e re”: Kohët e fundit ka pasur informacione se disa kolegje private po ofrojnë programe të edukimit. Dihet se kolegjeve nuk u lejohet të prodhojnë kuadro të mësimdhënies. Kush duhet të marrë masa ndaj tyre? 

Buja: Unë kam thënë se ata që e kanë shkelur ligjin le të kthehen prapa aty ku kanë filluar. Nëse ligji nuk lejon që kolegjet private të shkollojnë kuadro të nivelit të arsimit çfarë bën Fakulteti i Edukimit, atëherë ata duhet të kthehen prapa.

“Epoka e re”: Studentët, të themi kushtimisht, veçse janë mashtruar. A do të mbetet me kaq?

Buja: Jo, jo…atëherë do të shohim ku është lajthitja dhe këtë gjë do ta bëjmë.

“Epoka e re”: Prioritet i juaji është edhe themelimi i një Agjencie për Vlerësim. 

Buja: Në planet e vitit 2012 janë që të themelohen dy agjenci, ai për arsimin profesional dhe ai për vlerësim. Këto janë dy agjenci shumë të rëndësishme.

“Epoka e re”: Çfarë do të vlerësojë kjo agjenci?

Buja: Vlerësim të cilësisë, programeve dhe të njerëzve që performojnë. Kjo agjenci është shumë e nevojshme dhe ne do ta bëjmë, besoj brenda 6 muajve. Për të do ta na ndihmojë edhe Komisioni Evropian.

“Epoka e re”: Kush do të jetë pjesë e kësaj agjencie?

Buja: Ende nuk e kemi saktësuar. Agjencia do të jetë e pavarur, nuk do të jetë në kuadër të MASHT-it. Ajo do ta bëjë punën e arsimit. Ne do të përpiqemi që këtë agjenci ta pajisim me njerëz që janë të profesionit ekzakt, të cilët dinë saktë çka bëjnë me arsimin. Neve na duhet një agjenci që e di çfarë është cilësia e arsimit.

“Epoka e re”: Prioritet tjetër e keni edhe zhvillimin e shkencës. Çfarë do të bëhet këtë vit për zhvillimin e shkencës?

Buja: Ende jemi larg diçkaje që vërtet mund të quajmë shkencë. Nuk po them që nuk kemi, por tash këto komisione që i kemi brenda nesh e që vlerësojnë projektet që vijnë, jemi të pakënaqur me atë që shohim. Jemi larg asaj që dëshirojmë. Edhe fondet nuk janë të mjaftueshme. Tash jemi duke e plotësuar ligjin për shkencë, por ligji nuk e bën punën shkencore, ai vetëm e tregon rrugën dhe vendos kornizat e veprimit. Unë nuk them se nuk ka shkencëtarë të mirëfilltë në Kosovë, por ata duhet të jetë më të dukshëm, më të angazhuar dhe pretendues, mbase duhet t’u shtohet edhe motivi.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.