MASHT

Fillon edicioni i nëntë i Javës së Bibliotekës në Kosovë

12 Prill, 2011

Java e Bibliotekës në Kosovë, është hapur sot solemnisht në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Kosovës (BKUK), ku kanë marrë pjesë personalitete të shumta nga jeta politike dhe akademike në vend dhe më gjerë.

Temë bosht e këtij edicioni është “Bibliotekat e Kosovës dhe informacioni”, ndërsa kjo javë do të përcillet me aktivitete të shumta, që shënojnë edicionin e nëntë të këtij manifestimi ndërkombëtar.

Në këtë ceremoni, në emër të ministrit të Arsimit, Ramë Buja, punimet e kësaj jave i përshëndeti këshilltari i tij, Ragip Gjoshi. Ai tha se raporti me dashamirët e librit, shkrimtarët dhe intelektualët si dukuri, nuk është një çështje sentimentale, nuk është thjesht një tendencë politike, është vetëm detyrim moral i dorës së parë. “MASHT, Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si institucion bibliotekar kryesor i vendit, përpiqet që të trajtojë me kompetencë. Në mesin e prioriteteve të MASHT-it , krahas edukimit dhe arsimimit, kemi venë dhe interesimin për çështjet e traditës, por edhe të sotmes, të kulturës dhe historisë”.
Objektiv yni, tha Gjoshi, është që të gjithë qytetarëve t’u garantohet qasje e lirë dhe e pakufizuar në dije, mendim, kulturë dhe informacion, të kenë mundësi të vlerësimit të të arriturave shkencore, arteve, dhe të trashëgimisë kulturore përgjithësisht. “Në agjendën e MASHT-it, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës trajtohet si pasuri e trashëguar e popullit dhe si thesar i çmueshëm, sepse, liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari, kur digjet libri, e kjo ndodhi jo fort moti, sepse ai ishte zëri më i artikuluar i shoqërisë. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe pushtuesit, por është personazhi më i respektuar tani”, u shpreh ai.
Gjoshi theksoi se manifestimi si ky i sotmi, na bëjnë me dije se përpjekja për shoqërinë dhe vendin e librit dhe intelektualëve, poetëve shkrimtarëve nuk duhet të mbetet veç çështje e Javës së Bibliotekës në Kosovë, por duhet të jetë një angazhim yni i përbashkët i vazhdueshëm për BKUK-së . “Shpresojmë se është ky një rast i mirë që qytetarët e Republikës së Kosovës të bëhen pjesë e kulturës së leximit, e të shtetit të dijes”, tha ai.
Ndërsa, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, po ashtu premtoi mbështetje për BKUK-në, duke theksuar rëndësinë dhe rolin që ka Biblioteka.
Sali Bashota, drejtor i BKUK-së, veçoi edhe disa nga aktivitetet kryesore të këtij manifestimi.

Ndërsa, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, thanë se kjo bibliotekë është një organizëm që është duke u transformuar drejt teknologjisë së re e të avancuar.
Kjo veprimtari organizohet nga Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës dhe Ambasada amerikane në Prishtinë, ndërsa do të zgjasë nga 12 deri më 16 prill.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.