Filloi punimet Konferenca dyditore për arsimin e të rriturve

27 Prill 2011

"Arsimi i të rriturve - arsimi joformal dhe trajnimi, faktorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë", është tema e konferencës dyditore, e cila ka filluar sot dhe po mbahet nën patronatin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Punimet e kësaj konference i përshëndeti ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili theksoi se MASHT-i gjatë këtij mandati e ka fokus të veçantë cilësinë arsimore. "Në kuadër të kësaj cilësie arsimore, jo pse nuk ka ekzistuar edhe më parë, por do ta shtojmë fokusin dhe angazhimin tonë për ta ngritur cilësinë, në mënyrë që të ecim dhe të arrijmë në cakun që dëshirojmë, sepse në Evropë nuk hyhet ndryshe, hyhet më seriozisht, më logjikshëm, më përmbajtësisht, atëherë kur je i ditur", tha ai.

Ministri Buja tha se vetëm të ditur do të na pranoj më me lehtësi ajo pjesë e Evropës "sepse ne në fakt në Evropë jemi fizikisht, por do të duhej të realizojmë objektivat tona".

"Në kuadër të kësaj objektive, e çmoj shumë edhe këtë evenimentin tuaj, që të ngritemi në aspektin profesional dhe MASHT-i në Strategjinë e saj 2011/16, ka futur edhe buxhet të veçantë, një limit të veçantë të buxhetit për këtë nivel të arsimit, për të cilin sot po bisedojmë dhe kjo është 7 për qind, që është një limit që nuk është për t'u hedhur".

Ministri Buja shprehu besimin e tij se kjo shumë parash (fondesh), që është ndarë do të ngrisë cilësinë për aq sa MASHT-i ka synim për ta ngritur. Ministri po ashtu, theksoi dëshirën e tij që të gjithë njerëzit e të gjitha moshave t'i shohë vërtetë njerëz të zotët të profesionit të tyre, ndërsa pjesëmarrësve në konferencë iu uroi punë të mbarë për dy ditë sa do të zgjasin punimet.

Drejtori i Departamentit për Arsimin Parauniversitar në MASHT, Agim Bërdyna, theksoi se kjo konferencë mbahet për një komponentë shumë të rëndësishme të arsimit bashkë me partnerët. Ai theksoi se të tri ministritë janë ngushtë të lidhura dhe tanimë kemi edhe strategjitë ndërsektoriale, ku nuk mund të bëjnë asnjëri pa tjetrin (MASHT, MPMS, MRKS), dhe që bashkërisht shfrytëzojnë infrastrukturën ligjore, logjistikën për të realizuar programet që i kemi para vetes.

Ndërsa, Dëfrim Rifaj nga MPMS theksoi se kjo Ministri është përgjegjëse për hartimin dhe miratimin e politikave të punësimit dhe mbikëqyrjen e zyrave regjionale dhe komunale të punësimit në Kosovë. "Divizioni i aftësimeve profesionale i MPMS-së i mbikëqyr punët e tetë qendrave regjionale të aftësimit, të cilat ofrojnë ngritje të aftësive që orientohen në punësim. Kurse kualifikimet e arritura nga pjesëmarrësit në gjashtë qendrat mobile në Deçan, Skenderaj, Kaqanik, Podujevë, Graqanicë dhe Dragash, janë të njohura ndërkombëtarisht, pavarësisht mungesë së një sistemi të njohjes së aftësive dhe certifikimit", theksoi ai.

Konferenca do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme, ku do të diskutohet rreth rolit të akterëve të ndryshëm në arsimin e të rriturve, atij joformal dhe trajnimit, gjendjen ekzistuese, sfidat dhe vështirësitë dhe masat që duhet të merren në funksion të ngritjes së cilësisë.