Është shpallur konkursi për zgjedhjen e personelit të Universitetit të Prizrenit

05 Gusht 2010

Universiteti i Prizrenit ka shpallur sot konkursin për zgjedhjen e personelit akademik dhe atij administrativ/teknik të këtij universiteti (në bazë të nenit 7 të Statutit të Përkohshëm), i cili këtë vit pranon studentët e parë.

Pas një konkurrence shumë të madhe për të kërkuar një indeks të këtij universiteti, sot fillon aplikimi për të gjithë ata që janë të interesuar të bëhen pjesë e Universitetit të Prizrenit, pra të jenë të kyçur në mësimdhënie, por edhe në administrim të Universitetit.

Të gjithë të interesuarit, sipas konkursit të shpallur, mund të aplikojnë në 5 programet, të cilat ofrohen këtë vit në Universitetin e Prizrenit: Administrim biznesi dhe menaxhment ndërkombëtar; Teknologji informative dhe telekomunikuese dhe Dizajnim i softuerit; Juridik; Gjuhë Gjermane; Lëndët ndërdisiplinare.

Ndërsa, konkursi është shpallur edhe për katër pozita për personelin administrativ/teknik: sekretar i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit dhe për tre zyrtare administrativ në këtë universitet.

Të gjithë të interesuarit do të mund të paraqiten në konkurs deri më datën 20 gusht 2010, në ambientet e Universitetit të Prizrenit.

Deri më tani kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e Universitetit të Prizrenit, mbi 600 intelektual që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj, prandaj edhe në konkursin e shpallur është tërhequr vërejtja se këta kandidatë duhet të paraqiten në konkurs për të precizuar lëndën (lëndët) për të cilën aplikojnë.

Universiteti i Prizrenit është themeluar nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të përfshirjes sa më të madhe të rinisë në shkollimin e lartë dhe të rritjes së cilësisë në këtë nivel shkollimi në Kosovë.