MASHT

Është përuruar shkolla e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë

22 Nëntor, 2010

Në një ceremoni festive, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Enver Hoxhaj, dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, përuruan shkollën e mesme  “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Nxënësit e kësaj shkolle që nga viti 2003 kanë vijuar mësimin në shkollën e mesme të mjekësisë, “Ali Sokoli”. Në këtë shkollë vijojnë mësimin rreth 1500 nxënës. Objekti i ri ka hapësirë prej 4500 m katrorë ku gjenden 21 dhoma mësimi, 5 kabinete dhe kthina tjera përcjellëse.

Ministri Hoxhaj, ka uruar nxënësit e kësaj shkolle për objektin e ri i cili është sipas standardeve bashkëkohore dhe ofron kushte për mësim cilësor. “Kjo është shkolla e mesme e para që po ndërtohet pas rreth 30 vitesh në kryeqendrën tonë. Ne mbesim të përkushtuar që të vazhdojmë me zgjerimin e hapësirës shkollore kudo që është nevoja”, ka thënë me këtë rast ministri Hoxhaj.

Ndërkaq, i pari i kryeqytetit kryetari Mustafa gjithashtu tha se “kjo është një ditë e mirë për të gjithë ne, e në veçanti për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. Me këtë objekt të bukur shkollor sot mbase po arsyetohen vonesat për shkak të shumë vështirësive që kemi pas rreth caktimit të lokacionit. Urime dhe e gëzofshi shkollën e re”, ishin këto fjalët e Kryetarit Mustafa në ceremoninë përuruese.

Shkolla e mesme “Xhevdet Doda” është themeluar në vitin 1971. Tani në këtë shkollë vijojnë mësimin rreth 1500 nxënës, në dy ndërrime dhe nën përkujdesjen e 50 mësimdhënësve.

Shkolla e re ka hapësirë prej 4500 m katrorë ku gjenden 21 dhoma mësimi, 5 kabinete dhe kthina tjera përcjellëse.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.