MASHT

DKA të gatshme për të filluar mësimin më 1 shtator

24 Gusht, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), z. Ramë Buja, në takimin e rregullt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit ka vlerësuar se viti shkollor 2011/ 12 do të fillojë suksesshëm më 1 shtator për arsye se janë bërë përgatitje serioze në këtë drejtim.

Ministri Buja ka theksuar se obligimet e MASHT-it janë në përfundim e sipër, librat janë shpërndarë me kohë dhe procesi ka shkuar mirë, ndërkaq ka shtuar se ka disa ngecje rreth përgatitjeve infrastrukturore.

Duke folur rreth përgatitjeve për afatin e dytë të Provimit Matura Shtetërore 2011, kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM), zëvendësministri Nehat Mustafa, është zotuar se më 27 gusht do të eliminohen të gjitha dobësitë, të cilat mund të paraqiten, pasi Njësia për Standarde, Vlerësim dhe Monitorim ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me DKA-të.
Zëvendësministri Mustafa theksoi se ndyshimi i datës së provimit të maturës është pritur pozitivisht nga Drejtoritë e Arsimit, pavarësisht faktit se është dashur të përshpejtohen përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Z. Mustafa po ashtu ka thënë se nuk do të lejohet të mbahet testi në asnjë qendër nëse DKA-të nuk kanë angazhuar kompanitë e sigurimit për kontrollimin e nxënësve dhe konfiskimin e të gjitha mjeteve të cilat mund të përdoren për kopjim.

Drejtori i Departamentit për Zhvillim të Arsimit Parauniversitar, Agim Bërdynaj, ka potencuar se javën e parë të shtatorit MASHT-i do t’i ketë shënimet definitive rreth regjistrimit të nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta.

Z. Bërdynaj po ashtu tha se këtë vit Prizreni duhet të fillojë pilot projektin për fillimin e mësimit në gjuhën rome.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.