MASHT

Certifikohen 558 mësimdhënës për programin ECDL

17 Qershor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja , mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të  mësimdhënësve për programin  ECDL.  (programi për aftësim të mësimdhënësve në shfrytëzimin e teknologjisë informative)

Më të mirëve përveç certifikatave ju ndanë edhe mirënjohje.

Projekti ECDL është iniciuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) me qëllim të ngritjes së aftësive në Teknologjinë Informative të mësimdhënësve  dhe personelit të shkollës. Ky program ka filluar në dhjetor të vitit 2009, duke përfshirë mësimdhënësit e arsimit parauniversitar nga të gjitha rajonet e Kosovës. Programi njihet me emrin ECDL (European Computer Driving Licence), dhe është i bazuar në standardin e Komisionit Evropian dhe CEPIS (Council of European Professional Informatic Societies). Pas përfundimit të suksesshëm të provimit, kandidatët pajisen me certifikata të njohura ndërkombëtarisht.

Zbatimi i këtij projekti realizohet përmes Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK), ndërsa mësimdhënësve u ofrohet trajnimi prej 7 moduleve të ECDL. Për tu certifikuar, kandidati duhet t’ju nënshtrohet secilit nga 7 modulet.

Ministri Buja në fjalën e rastit  ndër tjera tha se “jam i gëzuar me suksesin tuaj , më vjen mirë  për  të arriturat tuaja  në këtë program , është mirë që jeni përgatitë  për teknologjinë  informative të shekullit  21, shekullit tonë. Jam i bindur se pas dy apo tre vjetësh ne do te kemi mundësi dhe kapacitete  intelektuale  për ta digjitalizuar tërë  shkollën në Kosovë  dhe kjo është  një  nga mrekullitë  në sistemin e arsimit tonë,- theksoi ministri Buja .

Më tej, ministri  Buja u shpreh se  është  i  mrekulluar me suksesin , përqindjen e arritshmërisë  së mësimdhënësve në këtë program dhe shtoi se  “ nëse kemi proklamuar se do të fokusohemi në cilësinë në arsim,  atëherë cilësia e mësimdhënies,  por edhe e mësimnxënies  nuk mund të mendohet  pa njohuritë elementare të teknologjisë  informative. Nëse ne kemi proklamuar  cilësinë në arsim, atëherë them se kjo cilësi nuk mundë të arrihet pa njohuritë e këtij programi” . Në fund, ministri Buja  tha se,  të gjithë ne  duke pranuar detyrat  si mësimdhënës , do të  jemi po ashtu  bashkë  për të arritur sukseset që synojmë , gjakojmë  dhe dëshirojmë . 

Të pranishmit i përshëndeti edhe  Visar Jasiqi, drejtor i  Universitetit Amerikan në Kosovë –AUK, dhe Luljeta Demjaha , menaxhere e projektit! 

Ndryshe përqindja e mësimdhënësve aktiv të certifikuar me ECDL, Start është mesatarisht 70%. Që nga fillimi i projektit e deri në fillim të muajit qershor janë certifikuar me Start 6,102 ndërsa me Core 2,787 mësimdhënës, prej të cilëve sot marrin certifikata  558 kandidat.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.