MASHT

Shënohet 5 tetori Dita Botërore e Mësuesve

5 Tetor, 2017

Në organizim të SBAShK-ut, me një Konferencë tematike është shënuar 5 tetori-Dita Botërore e Mësuesve me moton “Liria e mësimdhënies i fuqizon mësimdhënësit” .

Në këtë Konferencë u fol për rolin dhe kontributin e mësuesit në përgatitjen e kuadrove të reja, për lirinë, fuqizimin  dhe përkushtimin e tyre në procesin e mësimdhënies, të bazuar në Kurrikulën e re dhe për  kontributin e veçantë të mësuesve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me një fjalë rasti, në emër të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqiri Bytyqi, të pranishmit i përshëndeti  Fehmi Hysenaj , Këshilltari i Lartë Politik,  njëherësh Shef i Kabinetit, i cili ndër tjera theksoi kontributin e mësimdhënësve në aspektin edukativo arsimor, si dhe nevojën për zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim.

“ Avancimi i cilësisë në arsim është synim yni tani kur bota po ecën me hapa të shpejtë të zhvillimit në të gjitha fushat e jetës, sidomos në fushime teknologjisë. Pa mësimdhënës të përgatitur mirë, kreativ e të afërt me  nxënësit, komunikues me prindërit  dhe komunitetin, nuk do të arrijmë të kemi arsimin që dëshirojmë për fëmijët tanë “, tha Hysenaj .

Në këtë event ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, rektor të  Universiteteve Publike, përfaqësues të sindikatave, si dhe mësimdhënës nga të gjitha komunat e Kosovës.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.