MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI NJË DELEGACION NGA MALI I ZI

5 Qershor, 2019

05 Qershor 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga përfaqësues të Këshillit Kombëtar, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë për të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes së arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, kuotat në universitetet publike të Kosovës për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi dhe sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë atje.

Ministri Bytyqi, me këtë rast vlerësoi se, përtej dëshirës, Ministria e Arsimit e ka edhe obligim që të ndihmojë nxënësit shqiptarë në Mal të Zi në çfarëdo forme dhe për këtë shprehu gatishmërinë e tij që të gjejë edhe bashkëpunime të reja, me qëllim që të ofrohet arsim më cilësor për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Mal te Zi.

Ministri Bytyqi, pas kërkesës së përfaqësuesit të delegacionit që të bëhet ndarja e kuotave për studentët shqiptarë nga Mal të Zi, premtoi se do të diskutojë edhe këtë vit me Universitetin e Prishtinës mundësinë e realizmit të kësaj kërkese.

Ndërsa, përfaqësuesi i delegacionit nga Mali i Zi, Faik Nika falënderoi ministrin Bytyqi për ndihmën e vazhdueshme që ka treguar Ministria e Arsimit, për të përkrahur nxënësit dhe studentët shqiptarë në Mal të Zi.

Gjatë takimit u bisedua edhe për mundësinë e ofrimit të trajnimeve në Kosovë për mësimdhënësit shqiptarë të Malit të Zi.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.