MASHT

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve fillon procesin e parë të validimit dhe akreditimit të institucioneve

10 Shkurt, 2012

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve sot ka publikuar fillimin e procesit te parë të validimit dhe akreditimit të institucioneve që ofrojnë,vlerësojnë dhe lëshojnë kualifikime profesionale. Kryetari i Bordit të AKK-së ,Ragip Gjoshi dhe drejtoresha e AKK-së Teuta Danuza, kanë bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të pilotimit në 11 institucione për 13 kualifikime, tashmë është shpallur konkurs dhe ju është bërë ftesë të gjitha institucioneve për aplikim për akreditim.

Ragip Gjoshi,kryetar i Bordit të AKK-së, fillimisht ka shpjeguar se Korniza Kombëtare e Kualifikimeve dhe Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është themeluar nga Ligji mbi Kualifikimet Kombëtare (Ligji 03/L-060). Gjoshi theksoi se : ” Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve ka Këshillin Drejtues i përbërë nga 13 anëtar nga ministritë relevante, universitetet, partnerët shoqërorë, organizatat jo qeveritare, dhe ofruesit e sektorit privat. “

Me këtë rast nga z. Gjoshi u bë e ditur se struktura themelore e kornizës është e përcaktuar prej tetë niveleve në të cilat kualifikimet dhe komponentët e kualifikimeve (zakonisht modulet) mund të vendosen. ” Secili nivel i KKK është i përcaktuar nga një formulim i rezultateve tipike të nxënit. Këto rezultate janë të tri llojeve: njohuri, shkathtësi, dhe kompetenca të gjëra” tha z. Gjoshi.

Ndërkaq Teuta Danuza, drejtoreshë e AKK-së ka specifikuar përgjegjësitë operative për KKK qe është e përbashkët për tre organet e autorizuara. Danuza ka thënë se Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për arsim dhe aftësim profesional; Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për kualifikimet e arsimit të përgjithshëm; Agjencia Kosovare e Akreditimit për Kualifikimet e Arsimit të Lartë. Sipas Danuzës, funksionet e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në lidhje me sigurimin e cilësisë janë si në vijim: Validimi dhe miratimi i kualifikimeve dhe moduleve për përfshirje në Kornizë;Akreditimi dhe monitorimi i institucioneve të cilat ofrojnë kualifikime dhe /ose module dhe/ose vlerësojnë individët për këto kualifikime dhe module dhe/ose japin certifikata dhe diploma; Kryerjen e sigurimit të jashtëm të cilësisë së vlerësimeve të cilat çojnë në dhënien e këtyre kualifikimeve dhe /ose moduleve.

Ndryshe Udhëzimi Administrativ mbi “Kriteret dhe Procedurat për Validimin dhe Aprovimin e Kualifikimeve Kombëtare dhe Akreditimin e Institucioneve që lëshojnë Kualifikime në Kosovë” ofron bazë për aprovimin e kualifikimeve dhe regjistrimin në KKK dhe poashtu akreditimin e institucioneve që ofrojnë kualifikime profesionale. Bazuar në këtë, sot është shënuar fillimi i procesit të parë për validim të kualifikimeve dhe akreditim të institucioneve të cilat ofrojnë, vlerësojnë dhe lëshojnë kualifikime profesionale.

Në këtë rast Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve i fton të gjitha institucionet/ofruesit që të aplikojnë në procesin për validim të kualifikimeve dhe akreditim të institucioneve të cilat ofrojnë, vlerësojnë dhe lëshojnë kualifikime profesionale.

Në këtë fazë mund të aplikojnë vetëm institucionet/ofruesit të cilat ofrojnë këto kualifikime:

–    Administrim Biznesi me profilin: Asistent Administrativ
–    Makineri me profilin: Metalpunues

Me rastin e aplikimit, institucionet duhet të dorëzojnë në zyrën e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dokumentet e kërkuara sipas dispozitave ligjore. Të gjitha institucionet/ofruesit ftohen që të aplikojnë në këtë proces, brenda këtij afati kohor: 10.02.2012 deri me 05.03.2012.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.